10 subjekte në garë për 10 vite
Qeveria ka miratuar vendimin nr. 194, datë 26 mars 2026, duke hapur zyrtarisht procedurën për dhënien e 10 licencave për bastet sportive online, një proces që po shoqërohet me akuza për favorizime dhe garë formale.
Sipas vendimit, nga 30 aplikimet ekzistuese do të përzgjidhen vetëm 10 subjekte, të cilat do të pajisen me licenca për një periudhë 10-vjeçare. Procedura parashikohet si konkurruese dhe e hapur, por kritikat lidhen me ndryshimin e kritereve dhe mënyrën e përzgjedhjes.
Në ligjin fillestar kërkohej që subjektet të kishin eksperiencë ndërkombëtare, xhiro minimale 20 milionë euro dhe garanci financiare prej 1.2 miliardë lekësh. Ndërsa në vendimin e fundit, këto kritere janë hequr, duke u zëvendësuar vetëm me një garanci paraprake prej 500 mijë lekësh për pjesëmarrje në garë.
Po ashtu, vendimi lejon aplikime jo vetëm nga shoqëri aksionare, por edhe nga bashkime individësh, çka zgjeron ndjeshëm kategorinë e aplikuesve.
Procesi i licencimit vjen pas disa viteve pezullimi të basteve sportive. Në vitin 2019, qeveria vendosi mbylljen e tyre, ndërsa në prill 2024 u miratua ligji për rihapjen online, por zbatimi u shty për dy vite.
Vendimi i fundit synon të formalizojë tregun, por mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet procesi i përzgjedhjes dhe nëse gara do të garantojë konkurrencë reale mes operatorëve.







