Vendimi për vrasësin e efektivit irriton ministrin Lamallari

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Akt shqetësues dhe me pasoja për rendin ligjor”

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së efektivit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, në Fier.

Në reagimin e tij publik, ministri e cilëson këtë vendim si shqetësues dhe me pasoja të rënda për shtetin dhe rendin ligjor, duke theksuar se masa e dhënë duket e papërshtatshme në raport me gravitetin e krimit.

Reagimi i Besfort Lamallarit:

“Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor. Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë. #LavdiDëshmorëvetëPolicisë.”

Ndërkohë, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, autori i ngjarjes, Azgan Mërnica, është dënuar me 35 vite burg, duke shmangur dënimin me burgim të përjetshëm që ishte dhënë më herët nga shkalla e parë.

Më parë, Gjykata e Fierit e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar Mërnicën me burgim të përjetshëm. Prokuroria e kishte akuzuar atë për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz të Fier, ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Novruz Cenalia.

Publikuar nga Publik Media