QYTETARI AKUZON POLICINË DHE KRYETARIN E BASHKISË PËR KËRCËNIME DHE GRABITJE PRONE
Publik.al | 1 Korrik 2025
Një denoncim tronditës vjen nga Kodër Vora, ku qytetari Elvir Deliallisi Maloku deklaron publikisht se është duke u përndjekur nga autoritetet lokale dhe policia, vetëm për shkak të mbështetjes së tij për Partinë Demokratike.
Në një mesazh të bërë publik, Maloku akuzon se është ndaluar të hyjë në banesën e tij nga efektivë të policisë së Vorës, në bashkëpunim me zyrtarë lokalë të lidhur, sipas tij, me krimin dhe korrupsionin.
“Nuk më lejon policia e Vorës të hyj në shtëpinë time, në bashkëpunim me shefin e komisariatit Elton Sahini, ky i fundit shok me xhabaftët që drejtojnë bashkinë dhe komisariatin. Ata kanë 3 hasmëri, plus akuzohen për trafik droge, prostitucion dhe kërcënime. Vjet më prenë fletë arresti pa bërë as krimin më të vogël,” – shprehet qytetari, duke shtuar se refuzon të paraqitet në komisariat nga frika për jetën e tij.
Maloku përmend me emër edhe Kryetarin e Bashkisë së Vorës, Blerim Shera, të cilin e akuzon për lidhje me krimin dhe për përfshirje në afera korruptive:
“Kryetari i Bashkisë, Blerim Shera, ka 3 dosje në SPAK. Ai i ka dërguar lekët e korrupsionit te dhëndri i tij në Shijak, Dash Gjoka, që ka precedent penal. Të gjitha ishin prerje 500 euro me topa.”
Në denoncimin e tij, qytetari pretendon se janë shitur ilegalisht 14-15 apartamente të rindërtimit në Vorë, duke përfshirë në skemë emra si Erlinda Papa dhe Mirela Domi, të dyja zyrtare të bashkisë.
Një tjetër akuzë e rëndë është ajo se Shera ka emëruar edhe vëllain e gruas së tij si nënkryetar në Bashkinë Kamëz, duke thelluar lidhjet nepotike në administratën vendore.
“Duan të më grabisin pronën, sepse duan të ndërtojnë rrugë dhe të blejnë dy vila pas themeleve të mia. Vetëm sepse kam bërë fushatë për PD-në!” – përfundon Maloku, duke apeluar për ndihmë dhe transparencë publike.
Kërkohet reagim urgjent nga institucionet shtetërore
Publik.al i bën thirrje autoriteteve të ndjekin me seriozitet këtë denoncim, duke garantuar sigurinë e qytetarëve dhe duke hetuar çdo element të pretenduar për abuzim me pushtetin, përndjekje politike dhe grabitje prone.
Në një kohë kur Shqipëria synon standarde më të larta të sundimit të ligjit, raste të tilla, të lëna në heshtje, rrezikojnë jo vetëm të drejtat individuale, por edhe besimin në institucionet shtetërore.