Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as të shtunën që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, duke shënuar dështimin e 28 me radhë.
Sikur edhe në seancat e kaluara parlamentare, nisur prej 15 prillit, skenari ishte i njëjtë: seanca zgjati pak minuta, dhe vazhdon pas 48 orësh – në këtë rast e radhës do të jetë më 9 qershor.
Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë në nisje të seancës se është për keqardhje që qytetarëve dhe nevojave të tyre nuk po u kushtohet vëmendja e duhur, dhe ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përmes këtyre lëvizjeve, vetëm synon të zvarritë procesin deri në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor.
Armend Zemaj prej Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se “është e tepërt çka po ndodh në institucionin e Kuvendit” dhe që Lëvizja Vetëvendosje ose duhet të hapë rrugë, ose duhet të ofrojë mundësi “për t’i dhënë fund ngërçit”.
Pas seancës, Albulena Haxhiu prej LVV-së ka thënë pas seancës se është përgjegjësi edhe e partive tjera që të kontribuojnë në konstituim të Kuvendit.
“Urojmë që të kemi reflektim, është e rëndësishme që secili deputet të jetë në krye të detyrës. Sa më parë që ndodh është më e mirë për vendin dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Kjo është hera e 20-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.
Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur së fundmi mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen në muajin tetor, si mundësi për zhbllokim të situatës.
Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, e ka prezantuar e para këtë ide në një takim që ka zhvilluar Osmani të mërkurën me figura të subjekteve politike në Kosovë, për të diskutuar datën e zgjedhjeve lokale.
Megjithatë, Abelard Tahiri, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë të enjten se beson që zgjedhjet duhet të mbahen ndaras.
Sipas tij, nëse duhet të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, kjo duhet të ndodhë më herët, e jo në tetor kur mbahen zgjedhjet e rregullta lokale.
Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar të enjten se “mund të ndodhë që të vijmë në një situatë ku zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhje”, edhe pse do të ishte “shumë e komplikuar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i organizojë ato së bashku (me lokalet)”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur më 5 qershor se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.
Edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it [Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë] si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve, për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës./REL
Artan Hoxha Për fat të keq humbëm një rast të madh për ta mundur Serbinë…
Shqipëria barazon pa gola ndaj Serbisë në “Air Albania”, në sfidën e vlefshme për kualifikueset…
Penallti e humbur, Manaj bën “mëkat”, dramë në fundin e pjesës së parë Përfundon me…
VIDEO Në kryeqytet nuk mungojnë tifozë të vegjël, të cilët kanë ardhur nga Durrësi për…
Associated Press| Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e planifikuar të luhet këtë të shtunë, ka…
Një nga burgjet dhe kampet më famëkeqe të diktarurës, Spaçi, është rikthyer në vëmendje gjatë…