Vila Qeveritare në Sarandë kthehet në hotel dhe restorant

“Vila e Falur” në Kodrën e Gjashtës

Si Këshilli Bashkiak i Sarandës i dhuroi 3 hektarë Tan Agollit 

Vendimi që u miratua në datën 30 maj në Këshillin Bashkiak të Sarandës

Këshilli Bashkiak i Sarandës ka formalizuar një prej skemave më flagrante të tjetërsimit të pronës publike në interes të klientëve të pushtetit. Në një mbledhje të shpejtë dhe thuajse pa debat, u miratua më 30 maj 2025 kalimi i Vilës Qeveritare dhe sipërfaqes përreth saj prej 3 hektarësh në administrim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) – që në praktikë do të thotë: në dorën e oligarkëve.

Ky vendim nuk ishte i rastësishëm. Ai përmbyll një skemë të menduar me kujdes nga kreu i FSHZH-së Tan Agolli, kryebashkiaku Oltion Çaçi (biznesmen me interesa në turizëm), dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, përmbaruesi Asaf Stroka. Në qendër të kësaj skeme është transformimi i një prone historike publike në një resort luksoz privat, me fonde publike.

Tenderi, votimi dhe skenari i paramenduar

Në shkurt 2025, FSHZH kishte hapur një tender me vlerë rreth 4 milionë euro për “zhvillimin e Vilës Qeveritare në Sarandë”. Pavarësisht se vendimi për kalimin e pronës te FSHZH nuk ishte ende marrë, tenderi vazhdoi siç të gjitha do të ishin në rregull. Në mars, sipas burimeve, është shpallur fituesi, por deri më sot nuk është publikuar asnjë informacion zyrtar.

Pyetja e madhe: Si guxoi FSHZH të shpallë tenderin pa pasur ende në pronësi truallin?

Përgjigjja është një farsë e strukturuar: Këshilli Bashkiak do të votonte më pas, vetëm për të legjitimuar një vendim të marrë nga më lart.

Pse pas tenderit? 

Vendimi i Këshillit Bashkiak më 30 maj erdhi pas tenderit, pas projektit, pas gjithë planifikimit nga FSHZH. I gjithë procesi është kthyer në një maskaradë ligjore për të justifikuar tjetërsimin. Madje, edhe këshilltarët e opozitës votuan pro, çka tregon se “urdhri” ka ardhur nga nivele më të larta se bashkia apo këshilli.

Në dokumentet e votuara thuhet qartë: ndërtimi i një hoteli, restoranti, pishine dhe një kompleksi për artistë dhe vizitorë. Fjalë të bukura në letër, por në realitet: një resort luksoz mbi një nga truallet më strategjike dhe të mbrojtura të Sarandës.

Vila Qeveritare: Nga trashëgimi historike në “apart-hotel” për klientët

Vilës së njohur të periudhës socialiste, e ndodhur në Kodrën e Gjashtës, do t’i ruhet sipas dokumenteve “identiteti historik”, por në thelb ajo do të transformohet në një strukturë luksoze që do u shërbejë vetëm të përzgjedhurve.

Në projektin e publikuar thuhet:

“Ndërtim restoranti dhe hoteli të integruar në terren. Funksion qeveritar si rezidencë për artistë, nomadë digjitalë, studentë dhe turistë elitarë. Hapësira akomoduese të disponueshme gjatë gjithë vitit.”

Por në realitet, ky është një truall me vlerë miliona euro që po i falet privatëve përmes një skeme që shfrytëzon emrin e FSHZH-së si fasadë.

Paratë e shtetit për biznesin e oligarkëve

Projekti i FSHZH është pjesë e “Loti 3 – Poli i Zhvillimit Turistik në Sarandë – Faza 1”, me vlerë 379,176,241 lekë pa TVSH, financuar nga buxheti i shtetit. Pra, me lekët e shqiptarëve do të ndërtohet një resort që u shërben vetëm një grushti njerëzish.

Një pazar politik me prona publike

E gjithë kjo histori nuk është thjesht për një hotel apo një restorant. Ajo është simbol i arrogancës së pushtetit të katërt që nuk njeh më ligj, transparencë apo llogaridhënie. Nga përmbaruesi që drejton Këshillin, tek biznesmeni që drejton Bashkinë, e deri te klienti që komandon nga Tirana të gjithë janë pjesë e një pazari që shkatërron Sarandën dhe përdhos trashëgiminë publike.

Pyetjet që presin përgjigje

  • Kush e ka fituar tenderin 4-milionësh që nuk është bërë publik?
  • Përse Këshilli Bashkiak nuk mori vendim përpara hapjes së tenderit?
  • Kush do ta administrojë këtë hotel-restorant-pishinë luksoze?
  • A është kjo një skemë klasike për të kaluar pronën publike në duar private përmes FSHZH-së?
  • Ky nuk është një rast i izoluar, por një

    model i ri i grabitjes

    së ligjshme që

    po instalohet në të

    gjithë vendin ku prona publike kthehet në para për privatin, ndërsa qytetarëve u mbetet vetëm pluhuri i propagandës.

Publikuar nga Publik Media