Vodafone dhe One pakt për tenderat

Kontrata 743 MLN lekë  u prish nga arrestimi i Veliajt

Kompanitë celulare “One” dhe ‘Vodafone” nuk janë në akord vetëm për çmimet e shërbimit për qytetarët, por edhe për tenderat. Vini re se çfarë tallje me paratë e qytetarëve është ky tender i Ujësjellësit të Tiranës, ku marrin pjesë kompanitë “One” dhe “Vodafone”!

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbim interneti për Ukt sh.a” me kohëzgjatje 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës.

“One” ka paraqitur ofertën zero lekë për t’i hapur rrugën kompanisë “Vodafone” që ta marrë këtë tender.

Kompania tjetër “VODAFONE ALBANIA” sh.a ka bërë ofertën 1.664.400 lekë pa Tvsh. Ndërsa dy firmat e tjera kanë bërë oferta më të larta dhe rezultati është fitorja e “Vodafone” në bashkëpunim të heshtur me “One”.

Në këtë rast operatori Ekonomik “ONE ALBANIA” sh.a  “skualifikohet” pasi nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë ligjor dhe teknik dhe Formularin e Çmimit të Ofertës bashkë dhe preventivin e detajuar sipas zërave përkatës. Tenderi i firmosur nga drejtori i Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Skerdi Drenova, nuk ka ndonjë shifër të konsiderueshme për dy kompanitë, por ky që do të raportojmë më poshtë është me vlerë të lartë monetare.

Marrëveshja “One” dhe “Vodafone” për tenderin, që e prishi arrestimi i Veliajt

Ky është një tender që fitonte çdo vit “One Albania”, ndërsa “Vodafone” paraqitej formalisht. Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Tiranë “Shërbim për Infrastrukturë të dedikuar optike dhe shërbime data”, me fond limit 74,398,398.83 lekë pa tvsh dhe kohëzgjatje 855 ditë.

Këto lekë i shkonin “One Albania”, ndërsa kompani celulare ia kalonte firmës “Gogel” pronë e vëllait të Erion Veliajt. Buxhetet i merr vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, pra, shpërndan rreth 5 milionë euro në vit reklama, prodhim reklamash, etj., në funksion të kompanisë së tij, “Gogel”. Lidhja ishte e tillë: Ti më jep para për vëllain, unë të jap tenderat e bashkisë.

Kështu do të vijonte historia e korrupsionit edhe me tenderin e shpallur në korrik 2024. Në datën 20 shtator 2024, fitues paraprak është shpallur operatori ekonomik “ONE ALBANIA” SH.A.

Tenderi do të anulohej nga Komisioni i Prokurimit Publik, ku ishte pranuar ankesa e një operatori ekonomik pjesëmarrës.

Me datë 30 shtator 2024, është administruar ankesa e kompanisë “MC NETWORKING” SHPK që kundërshtonte vendimin e Bashkisë Tiranë për ta skualifikuar nga gara. MCN, ku pronar është Endri Meksi, sipas komisionit të vlerësimit, kishte bërë ofertë “anomalisht të ulët”.

Pas shqyrtimit, KPP më date 2 shkurt 2025 vendosi të pranojë ankesën e operatorit ekonomik “MC NETWORKING” SHPK dhe bashkia të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e operatorit ekonomik dhe të korrigjojë shkeljen e konstatuar, duke e kualifikuar këtë operator ekonomik.

Dy ditë pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, është “kualifikuar” MCN dhe është marrë një vendim i dytë nga KPP, që e lejon autoritetin të vazhdojë tenderin. Ndërsa më 23 maj 2025 është shpallur i suksesshëm operatori MC NETWORKING” SH.P.K.

Zbulimi i parë që vjen nga ky vendim i KPP është se kualifikimi i ofertës së zhvlerësuar si “anomalisht e ulët” nxjerr zbuluar vendosjen e fondit limit në funksion të korrupsionit që kryente Veliaj me kompaninë celulare. Diferenca e fondit limit me ofertën më të ulët është 212 milionë lekë! Kjo është tarifa e korrupsionit që e kanë paguar çdo vit taksapaguesit kryeqytetas për këtë shërbim.

Pse “Vodafone” nuk dorëzon dokumentet e ofertës?

Ky tender, edhe pas vendimit të KPP për të ndryshuar fituesin, është vlerësuar me shkelje nga Open Data Albania dhe është shënuar me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.

Le të shohim se çfarë ka ndodhur me ofertat e kompanive. Operatori ekonomik “VODAFONE ALBANIA” SHA me NIPT K11715005L ka bërë zyrtarisht ofertën më të lartë, sepse kështu është marrëveshja e heshtur me “One”, që me sa duket është prishur nga arrestimi i Veliajt.

Kështu, oferta e Vodafone është 73,222,897 lekë pa tvsh, ndërsa Operatori ekonomik “ONE ALBANIA” SH.A me NIPT J61814094W ka bërë ofertën 68,774,075 lekë pa tvsh.

Shenjat janë të dukshme se është një proces fiktiv, pasi ka edhe kompani që kanë paraqitur ofertë zero lekë. Kështu “GRAMA” SH.P.K nuk ka paraqitur ofertë ekonomike duke qenë prezent vetëm si figurant. Dhe mes 6 pjesëmarrësve dallon oferta e MCN që është  53,279,550 lekë pa tvsh.

Por vini re, se “Vadafone” është skualifikuar nga gara! Nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar nga operatori ekonomik “Vodafone Albania” sh.a për përmbushjen e kushtit “Lista e Çmimeve të Shërbimeve”, del se nuk është dorëzuar dokumenti i plotësuar.

Po ashtu, “Vodafone” nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion për kriteret e veçanta të kualifikimit. Një kompani e madhe si “Vodafone’ nuk ka mungesë eksperience në këtë fushë, por është thjesht marrëveshja e heshtur me “One” që e detyron të sillet në këtë mënyrë ndaj procesit.

Në këtë rast kanë dështuar të ndërhyjnë Agjencia e Prokurimit, KPP ka kryetarin nën hetim nga SPAK, KLSH mbase do ta kontrollojë kur të jetë harruar tenderi, AKEP është jashtë loje, Autoriteti i Konkurrencës vendos gjithnjë në favor të tyre, por SPAK është në kohë të marrë në dorë këtë dosje.

Publikuar nga Publik Media