A ka alternativë për ata që nuk shohin alternativë?
Nga Klodian Tomorri
Ka një grup njerëzish, historikisht të djathtë ose pjesë e elektoratit gri, të cilët qartazi nuk votojnë për qeverinë.
Por, njëkohësisht, ata nuk binden as nga alternativat e tjera.
Nuk i bindin partitë e reja, dhe nuk i bind as Partia Demokratike, për një sërë arsyesh:
që nga lista e ngushtë me të njëjtët njerëz të ricikluar, e deri tek pakënaqësi të tjera më të thella.
Dhe, me shumë gjasë, kjo kategori do të bëjë atë që zakonisht bën elektorati që nuk gjen veten: nuk do të votojë.
Por ka një problem.
Mosvotimi i tyre ndihmon status quo-në.
Rama, të cilin nuk e duan, do të mbetet në pushtet.
Ose, edhe në rast rrotacioni, qeverinë do ta mbushin sërish ata të “rrethit të mbyllur” që i kanë larguar nga opozita.
Prandaj, çështja shtrohet kështu:
A kanë këta njerëz një alternativë brenda pakënaqësisë së tyre që të ndihmojnë, qoftë edhe pak, në thyerjen e status quo-së?
Përgjigja është: Po.
Doktori është një prej tyre.
Jo i madhi, por doktor Ilir Alimehmeti.
Sot, Ilir Alimehmeti është një nga ofertat më të mira në tregun politik. Dhe për disa arsye shumë të qarta:
- Së pari, askush nuk mund të thotë se është produkt i oligarkëve.
- Së dyti, askush nuk mund ta akuzojë si të korruptuar ose hajdut.
- Së treti, askush nuk mund të thotë se është i lidhur apo sponsorizuar nga krimi.
- Së katërti, askush nuk mund të thotë se blen vota apo shpërndan çanta me para për media. Nuk ka para doktori dhe nuk ka para për doktorin.
- Së pesti, ishte i vetmi që pranoi të dalë në listë të hapur, pa asnjë hezitim dhe pa kërkuar pushtet në tavolinë.
- Së gjashti, askush nuk mund ta akuzojë se është i pashkolluar, arrogant, konfliktual apo i paqytetëruar.
Atëherë, pse jo?
Një kandidaturë si kjo do të ishte për zili edhe në vende me qindra miliona banorë.
Është shumë e vështirë që dikush, sidomos në politikë, t’i përmbushë të gjitha këto kritere.
Diku ngecin të gjithë — sidomos në një vend të vogël si Shqipëria.
Atëherë, pse jo?
Dikush nga kjo kategori e zhgënjyer mund të hezitojë sërish, duke thënë:
“Edhe nëse votojmë Ilirin, prapë do të vendosin ata të rrethit të vjetër.”
Nuk është kështu.
Sepse nëse një kandidat del qartazi si i preferuari i elektoratit, ai fiton një forcë politike që nuk është e lehtë ta injorosh.
Ky është procesi që ngjit politikanët.
Vota nuk shërben vetëm për të zgjedhur qeverinë që do të qeverisë.
Vota shërben edhe për të pastruar politikën, përmes zgjedhjes së ofertave më të mira.
Prandaj, një doktor i vogël në radhët e doktorit të madh duket si një zgjedhje shumë e mirë këtë herë.