Premtimet e ricikluara të Ramës dhe bashkisë Tiranë dhe realiteti i fëmijëve pa arsim në Astir dhe Yzberisht
Nga një kantier gjysmë i ngrirë në Astir te një zonë e mbuluar nga mbeturina në Yzberisht, realiteti i arsimit publik në njërën nga zonat më të populluara të kryeqytetit përplaset dhimbshëm me premtimet elektorale që prej vitit 2016. E megjithatë, çdo katër vjet, i njëjti premtim, i njëjtu maket 3D dhe i njëjti “mezi pres” në Facebook.
Një furgon, një gjyshe dhe një dështim shtetëror
Sanija, një 63-vjeçare që çdo ditë pret mbesën me furgon që vjen nga shkolla “Sabaudin Gabrani”, 3.5 kilometra më tej, është fytyra reale e këtij dështimi. “Shumë keq është me shkollën. Nuk dua të flas shumë se është kohë zgjedhjesh dhe s’dua të ngatërrohem me politikën”, thotë ajo. Por realiteti nuk ka nevojë për interpretime: në Astir dhe Yzberisht nuk ka shkolla publike, përveç një çerdheje të vetme.
Prej vitesh, vetëm fushatë dhe ferra
Në vitin 2021, pak ditë para zgjedhjeve, Erion Veliaj premtonte: “Do të fillojmë shumë shpejt me tre shkolla”. Në vitin 2024, premtimi është po ai.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, paraqiti sërish projektin e shkollës 9-vjeçare dhe çerdhes në Astir. Madje këtë herë, në prezencë të kryeministrit dhe ministres së Arsimit. Por çfarë ndodh tre ditë më pas? Një ekskavator i vetëm lëviz inertët mesditën në një kantier ku edhe tabela informuese duket më shumë si mbulesë për dështimin.
Në Yzberisht, një tjetër “shkollë fantazmë”

Fotot tregojnë terrenin ku parashikohej ndërtimi i shkollës së mesme dhe asaj 9-vjeçare. Aty, përveç kangjellave, ndodhen vetëm mbeturina, ferrat e harlisura dhe pirgjet e inerteve. Nuk ka as zëra fëmijësh, as punëtorë ndërtimi. Vetëm heshtja e një tjetër premtimi të kalbur.
297 milion lekë dhe një ekskavator i vetëm
Tabela e projektit të shkollës në Astir shënon një vlerë prej 297.893.376,48 lekë me TVSH dhe një afat 12 mujor. Por ndërtimi ka nisur me ritmin e një filxhani kafe në ditë. Kjo nuk është thjesht mungesë e investimit, është neglizhencë sistematike dhe një mashtrim i përsëritur ndaj komuniteteve që në 2021 i dhanë Partisë Socialiste 52% të votave.
Modeli i ndërtimit për… fushatë
Ristani përmendi edhe modelet për dy shkollat e tjera në Yzberisht, duke folur për kapacitetin, klasat dhe numrat. Por ky është një “model fushate”, jo ndërtimi. Sepse çdo vizitë është e planifikuar në prag zgjedhjesh. Çdo premtim është një riciklim i një videoje të vjetër në version 4K.
“Durimi” i qytetarëve është kthyer në justifikim politik
Në mesazhet e fundit të Veliajt nga burgu, nuk mungon falënderimi për “durimin e qytetarëve”. Por ky durim është kthyer në mjet për propagandë dhe në mbulesë për paaftësinë. Askush nuk mban përgjegjësi pse fëmijët 8-vjeçarë bëjnë 7 kilometra rrugë çdo ditë për të ndjekur shkollën. As qeveria, as bashkia, as ndonjë tjetër në këtë zinxhir të propagandës bosh.
Në vend që Yzberishti dhe Astiri të kishin tri shkolla funksionale, kanë tri premtime. Në vend të klasave të ndërtuara, kanë klasat në makete. Në vend të zgjidhjeve reale, kanë video, foto dhe rikthim të përvitshëm të sloganit “nisim shumë shpejt”.
Shkolla mbetet e munguar. Nxënësit mbeten në pritje. Politika ndërton vetëm në premtime, jo me tulla dhe dritare.
Në vend të librave, zhurma ekskavatori. Në vend të nxënësve, posterë. Në vend të shkollave, mashtrime.