Vrasja në Vlorë dhe porosia nga Dubai: Del foto e tropojanit me “Sidin”

Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Eris Mehmetin, i ndaluar dy ditë më parë nën akuzën se ndihmoi autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt duke e larguar me automjet nga vendngjarja mbrëmjen e 27 prillit.

Sipas burimeve zyrtare, Mehmeti ka mohuar përfshirjen direkte në krim, por ka pranuar se automjeti i përdorur është në pronësinë e tij, duke deklaruar se ia kishte lënë për përdorim një “miku”, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik dhe po verifikohet nga hetuesit.

Pavarësisht deklarimeve të tij, gjykata ka vlerësuar provat e mbledhura deri më tani si të mjaftueshme për ta lënë në burg nën akuzat për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes”.

Pas krimit, autori i dyshuar i maskuar dhe me kapele gjuetari, është larguar dhe policia dyshon se makina është çmontuar në një pikë skrapi ose servis dhe po kryen hetime në këtë drejtim.

Eris Mehmeti, me origjinë nga Tropoja dhe banues në Tiranë, është një emër i njohur për miqësinë me “Sidin”, Roan Brahimin, i cili u ekzekutua në Athinë një vit më parë. Lidhja e tij me personazhe të përfshirë në botën e krimit dhe lëvizjet e shpeshta drejt Dubait po hetohen nga autoritetet.

Ndërkohë, viktima Renato Hoxhaj, 58 vjeç, u vra me tre plumba pranë banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë. Dyshohet se vrasja është bërë për motive hakmarrjeje, pasi Hoxhaj mund të ketë qenë informator në një ngjarje kriminale më parë. Një nga pistat që po hetohet është ajo e vrasjes së Gëzim Sinomatit.

Sipas grupit hetimor, Hoxhaj kishte kohë që dyshonte për një atentat dhe kishte vendosur kamera sigurie në afërsi të banesës.

Policia ka ndjekur itinerarin e vrasësit, i cili është larguar fillimisht me makinën e Mehmetit deri në Ksamil, për t’u zhdukur më pas në këmbë dhe me një taksi, që aktualisht po verifikohet. Një nga autorët dyshohet të jetë larguar ilegalisht në Greqi.

Hetimet vijojnë në disa pista për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Publikuar nga Publik Media