Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mbrëmjen e sotme zonën e Niklës, në Fushë-Krujë, ku një person ka mbetur i vrarë pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga burime zyrtare dhe hetimore, viktima është shtetasi Artur Çangu, ndërsa si autor i dyshuar identifikohet Eduart Afmataj. Dyshohet se krimi ka ndodhur pas një konflikti të çastit, i cili më pas ka degraduar në përdorimin e armës.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 18:15 në fshatin Vrion, në zonën e Niklës. Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar ka qëlluar me armë gjahu (çifte), duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme viktimës.
Një detaj që e bën edhe më të pazakontë këtë rast është fakti se vetë autori dyshohet se ka qenë ai që ka njoftuar policinë pas krimit. Menjëherë pas marrjes së informacionit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se mes autorit dhe viktimës ka ekzistuar edhe një lidhje familjare përmes krushqisë. Po ashtu, mësohet se ditët e fundit kishte pasur përplasje mes djemve të viktimës dhe autorit, konflikt i cili dyshohet se lidhet me çështje pronësie, ende të paqarta plotësisht.
Policia e Krujës ka bërë të ditur se vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit, ndërsa grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave.
Ngjarja mbetet në hetim, ndërsa pritet që në orët në vijim të dalin detaje të tjera që mund të hedhin më shumë dritë mbi motivet dhe dinamikën e plotë të krimit.







