Zbulohen prapaskenat e errëta të Paketës së Maleve

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Nga shpopullimi i fshatrave, te varrosja bujqësisë dhe blegtorisë

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka akuzuar qeverinë se përmes nismës së njohur si “Paketa e Maleve” po ndjek politika që, sipas saj, çojnë në tjetërsimin e pronave dhe boshatisjen e zonave rurale në Shqipëri.

E ftuar në emisionin Kafe Shqeto, ajo deklaroi se kjo çështje nuk kufizohet vetëm në një zonë të caktuar, por prek të gjithë territorin malor të vendit, duke përmendur në mënyrë të veçantë Martanesh.

Sipas saj, “Paketa e Maleve” nuk është një projekt zhvillimor, por një mekanizëm që favorizon interesa të caktuara në dëm të komuniteteve lokale, ndërsa investimet në energji po ndikojnë negativisht në sektorët tradicionalë si bujqësia dhe blegtoria.

“Dua të flasim për një situatë që prek jo vetëm Martaneshin, por gjithë zonat malore të Shqipërisë. Banorët e Martaneshit, ju e patë vetë se këtë dëgjesë publike e kthyen në protestë sepse e dinë shumë mirë se çfarë po ndodh me tokat e tyre. Dhe kjo nuk është e rastësishme, por është shembulli i qeverisjes përmes “Paketës së Maleve”, një mekanizëm për tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin sistemik të fshatrave. Panelet diellore, HEC-et me tuba, janë dora e fundit e qeverisë për të varrosur bujqësinë dhe blegtorinë. Rama thotë se po mendon për ish-pronarët, për zhvillimin turistik, por në realitet është krejt tjetër. Dhe objektivi i parë janë, kullotat dhe tokat e përbashkëta, prona që kanë shumë bashkëpronarë dhe tjetërsimi i tyre, është vjedhje e hapur. Në Martanesh dhe kudo. Bashkitë po nxjerrin tokat në ankand për miqtë e kryeministrit, për të vendosur panelet diellore, dhe sigurisht edhe për objeksione të tjera. Kryeministri e ka bërë këtë publike edhe në Davos, duke e prezantuar si një zhvillim green, por është një politikë që vret blegtorinë dhe ekonominë fshatare. Disa familje prezantohen si biznese lokale, por pas tyre fshihen oligarkë dhe ndërtues që kanë lidhje ose biznesmenë që kanë lidhje me qeverinë.”, tha Vata.

Deputetja hodhi poshtë argumentet e qeverisë për zhvillim turistik apo mbështetje ndaj ish-pronarëve, duke i cilësuar ato si justifikime.

“Objektivi i parë janë, kullotat dhe tokat e përbashkëta, prona që kanë shumë bashkëpronarë dhe tjetërsimi i tyre, është vjedhje e hapur”, u shpreh ajo.

Në vijim, Vata akuzoi institucionet vendore për manipulim të statusit të tokave, duke pretenduar se ato po riklasifikohen nga “tokë buke” në “tokë jo produktive”, me qëllim kalimin e tyre për projekte energjetike. Sipas saj, kjo po dëmton drejtpërdrejt ekonominë rurale dhe po nxit largimin e banorëve nga fshati.

Ajo iu referua edhe reagimeve në terren, duke përmendur protesta të banorëve në disa zona, përfshirë Martaneshin, ku sipas saj një dëgjesë publike është shndërruar në përplasje me përfaqësues të pushtetit vendor. Vata vuri në pikëpyetje vlefshmërinë e këtyre proceseve, duke theksuar se “janë bërë dëgjesa publike me 10-15 veta që nuk ka asnjë vlerë ligjore”.

Në fund, deputetja paralajmëroi për përhapjen e këtij fenomeni edhe përtej zonave malore, duke përfshirë territore kodrinore dhe zona bujqësore në jug dhe në veri të vendit. Ajo ngriti shqetësime për ndikimin afatgjatë në sigurinë ushqimore dhe ekonominë vendase, duke argumentuar se politikat aktuale po favorizojnë pak individë në dëm të shumicës.

Publikuar nga Publik Media