Zegjineja e GAZIT humb mandatin me 9 vota!

Rinumërimi përmbys rezultatin në Fier: Mandati i 12-të i PS në fije të perit, në garë Çaushi dhe Bardho!

FIER – Një përmbysje e papritur ka ndodhur në Qarkun e Fierit pas rinumërimit të votave nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke hapur rrugën për një skenar të tensionuar brenda vetë Partisë Socialiste.

Zegjine Çaushi, e shpallur fituese e mandatit të 12-të të PS më 11 maj, duket se është drejt humbjes së këtij mandati, pasi rinumërimi i kërkuar nga koalicioni opozitar “Shqipëria Bëhet” i ka dhënë një avantazh të papritur rivales së saj në listë, Maldrita Bardho, e cila aktualisht ndodhet përpara me 9 vota dhe ka fituar mandatin e Zegjinesë se “Gazit”.

Nga një diferencë fillestare prej +61 votash në favor të Çaushit, situata është përmbysur në vetëm pak kuti, duke shtuar dyshimet mbi integritetin e procesit dhe rolin e strukturave të numërimit. Në pritje të rinumërimit të kutisë së fundit, mbetet pezull vendimi për mandatin e fundit të socialistëve në Fier.

Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është luhatja dramatike edhe në votat e kandidatit Ceno Klosi, i cili nga një epërsi prej +914 votash, ka rënë në +830 vota. Sipas të dhënave nga terreni, në kutitë e para ai siguronte deri në +85 vota për kuti, ndërsa në fund, votat janë ulur me ritëm të çuditshëm: -20, -10, dhe më tej.

Këto lëvizje po ngrenë pikëpyetje serioze për korrektësinë e procesit. Burime pranë opozitës dhe shoqërisë civile flasin për një skemë të mirorganizuar: manipulim i kujdesshëm në fund të procesit për të shmangur fitoren e thellë të Klosit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga një skenar ku ai mund të dilte jashtë listës.

“Janë specialistë, por jo si ato të kohës së Arbnorit,” – ironizon një aktivist lokal. “Këta vjedhin dhe lënë gjurmë pa u shqetësuar – si të kishin garanci nga prokuroria.”

Ndërkohë, përmendja e emrave si Zegjine Çaushi si “sakrifica” e brendshme për të mbuluar lojërat më të mëdha në listë, tregon qartë se çfarë peshe politike kanë nisur të marrin kutitë që dikur quheshin “thjesht procedurë”.

Farsa e zgjedhjeve të 11 majit, siç po e cilësojnë gjithnjë e më shumë aktorë të pavarur, po zbulohet me saktësi në numrat e rinumërimit. Më shumë se për mandate, betejat po bëhen për manipulimin e perceptimit publik dhe mbrojtjen e atyre që janë të “dëgjuar” nga lart.

Rinumërimi vijon. Mandati i fundit i PS në Fier është ende në ajër. Dhe bashkë me të, edhe kredibiliteti i procesit zgjedhor.

Publikuar nga Publik Media