Zgjedhjet e 11 Majit dhe “katapultimi” i partive të reja – realitet apo iluzion elektoral?

Landi Çela

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit shënojnë një tjetër pikë kthese në politikën shqiptare, jo përballë ndonjë ndryshimi të madh në ofertën politike, por për mënyrën se si perceptimi publik po “regjizohet” përmes sondazheve dhe propagandës mediatike. Në këtë sfond, partitë e reja përballen me një sfidë të dyfishtë: të tejkalojnë mosbesimin e votuesve dhe të përballen me një sistem të manipuluar nga perceptime të prodhuara.

“Katapultimi” i Agron Shehajt – Sukses i ndershëm apo marketing i sponsorizuar?

Një ndër emrat që ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme është Agron Shehaj dhe partia e tij “Mundësia”. Sondazhe të shpërndara me zell nga disa media e rendisin të tretin në renditje – para forcave të konsoliduara si Partia e Lirisë apo PSD. Në një vend ku të mbijetosh politikisht kërkon dekada përplasje, rrënjë në bazë dhe mekanizma të mirëushqyer organizativë, ngritja e beftë e Shehajt ka ngritur më shumë dyshime sesa entuziazëm.

Shehaj, i njohur për lidhjet me industrinë e Call Center, po kritikohet se po përdor infrastrukturën dhe mjetet e komunikimit për të krijuar një “bum” artificial elektoral. Ish-këshilltarja e PD-së, Desada Metaj, nuk nguron ta ironizojë: “Të kesh call center vetë dhe të blesh sondazhe tek të tjerë, veç histori suksesi për biznesin nuk duket të jetë.” Një tjetër analist, Enton Abilekaj, e thotë edhe më prerë: “Quhet krim zgjedhor të blesh sondazhe për të dalë i treti?”

Arlind Qori dhe Lapaj – Një terren real, pa ndihmën e sondazheve të blera

Në të njëjtën garë janë edhe figura si Arlind Qori me “Lëvizjen Bashkë” dhe Adriatik Lapaj me një lëvizje ende pa emër të konsoliduar. Të dy kanë zgjedhur të mos bien pre e “katapultimeve” artificiale. Qori përkujton rezultatin e zgjedhjeve lokale 2023, ku pavarësisht sondazheve që i jepnin 1-2%, ai arriti 5% në Tiranë. Për të, sondazhet janë “operacione propagandistike” që fabrikojnë të pavërteta për të ndihmuar ata që i paguajnë.

Lapaj zgjedh të mos komentojë asgjë. Ai premton të flasë më 12 maj, “kur flet kutia e votimit, jo ekrani i televizionit”. Me një fushatë të shpërndarë në shumë qarqe dhe një qasje tokësore, Lapaj përfaqëson një profil më të heshtur, por më të përmbajtur politikisht.

Zgjedhje në një fushë të pabarabartë

Vëmendja e lartë ndaj partive të reja është pozitive, por kur shoqërohet me manipulim të perceptimit publik, ajo bëhet e rrezikshme. Nëse një figurë e re politike “katapultohet” artificialisht përmes sondazheve të blera, atëherë krijohet një realitet i rremë që ndikon zgjedhësin dhe deformon vullnetin e tij.

Në fushë nuk janë amatorë: përballë qëndrojnë një kryeministër me 3 mandate, një ish-kryeministër me një karrierë prej dekadash, një PSD që e njeh mirë gjeografinë elektorale dhe një Parti e Lirisë që mbijeton edhe pa liderin në fushë. Në këtë kontekst, është naive të besohet se një parti pa strukturë dhe histori mund të arrijë vendin e tretë thjesht me flluska sondazhesh.

Konkluzion: 11 Maji është testi i realitetit

Të gjitha partitë e reja janë në provën e tyre të parë të madhe. Disa kanë prova reale në terren – si Qori me 5% në Tiranë apo Lapaj me aktivitetin më të ngjeshur në vend – ndërsa të tjerë, si Shehaj, mbështeten te perceptimi i ndërtuar.

Në këtë sfond, media ka një detyrë themelore: të mos bëhet vegël e propagandës me pagesë, por të ndihmojë qytetarët të dallojnë realitetin nga iluzioni. Vetëm kështu, zgjedhjet e 11 majit do të jenë një shans për ndryshim të vërtetë – jo për fasadë.

Publikuar nga Publik Media