Zgjedhjet e 11 majit si farsë, apo ndryshim?

Naim Noka

Dje u  mbyll  Teatri Kombëtar i Mashtrimit Politik . Farsa e stërpërsëritur, që prej vitesh ka marrë pamjen e një riti kolektiv mashtrimi.

Sot  nuk ka heshtje  për telefonat e patronazhistëve, miellin, eurot, lekët që  lëvizin në orët e mbetura deri mengjesin e të dielës.  Hesht vetëm shpresa.

Rama kërkon përjetësinë mbi “delet” ndërsa Berisha kërkon hakmarrjen e fundit. Dhe populli? Populli sheh, hesht, duron… dhe sërish paguan.

Janë zgjedhje ku nuk zgjidhet askush. Loja është mbyllur me kohë. 92 deputetë janë vulosur me lista të mbyllura  pa garë, pa konkurencë, pa përfaqësim. Çfarë pamë në një muaj spektakël të pështirë? Një betejë brenda llojit! Kush bëri  më shumë receta keku dhe sheqerpareje, kush bëri më shumë selfie apo video si të  Zegjinesë nga Patosi. Një parlament që zëvendëson Kuvendin me një reality show politik, ku nga foltorja kemi kaluar tek filtrat. Nga ideja, tek imitimi.

Dikur fushata ishte për bindje. Sot është për klikime. Dikur kandidati jepte fjalën, sot ministrja  Balluku krahas miliona eurove në koncesione, të dhuron falas  recetën e byrekut me hithra dhe tavës me patate. Ky është parlamenti që po ndërtojmë si një Big Brother i përjetshëm, ku shpërblimi është karrigia dhe ndëshkimi një meme.

Rreth 1 milion shqiptarë kanë ikur. Ata e  kuptuan  se zgjedhjet këtu nuk ndryshojnë sistemin  vetëm e riciklojnë atë. Si një tragjikomedi që prej 33 vitesh luhet nga të njëjtët aktorë, me të njëjtin tekst. Dhe publiku nuk duartroket më. Thjesht rri, në këmbë, me kokë ulur.

SPAK është iluzioni  i  shpresës  së fundit! . Jo pse funksionon, por sepse është i vetmi që prodhon ndonjë lajm të vërtetë. Arreston krygjobaxhinj lokalë, por nuk guxon as ta përmendë ‘maratonomakun’ e Majkos, teksa përdor pushtetin si një Pasha modern, organizon Giro d’Italia dhe Samitin e “Asgjëkundit” duke përdor 10 milionë euro nga taksat tona për të bërë propagandën e radhës  që “delet”  ta harrojmë votën dhe  zgjedhjet  e 11 majit.

Këtë 11 maj, për herë të parë voton diaspora. Ata që i quajmë “heronj të ekonomisë”, por që i përmendim vetëm kur na duhen eurot ose… votat. Asnjë respekt, vetëm kalkulim.

Një baba që votoi për herë të parë në 2005, sot sheh vajzën e tij të votojë për të njëjtët njerëz.

Edi Rama  dikur u duk se ofroi  shpresë, sot kalëron sistemin hibrido-kleptokrat  më ordiner në botë.  E  lamë të gjithë ne pa përjashtim të merrte çdo gjë nga ky vend, çdo pushtet, çdo institucion  dhe tani duhet të  durojmë të shohim fatin tonë në filxhanin e  Zegjinesë në Fier.

Gjithçka pas 11 majit  do të jetë në dorën e ‘Maratonomakut’  të   Majkos ose  shkurt Mesia i “deleve” dixhitale të kësaj toke do të  do vendosë se çfarë do të bëjë me fatin e një populli të plakur  të lodhur sa më ska.

Berisha,fantazmë që rikthehet për t’u hakmarrë nga e kaluara.  Ndërsa vajza e babait,  që votoi për herë të parë në 2005, sot përfaqëson të ardhmen që  voton  dy të shkuara të pashmangshme.

Zgjedhjet e 11 majit nuk kanë  shans  të ofrojnë zgjidhje. Ato pritet të konfirmojnë status-quon, dhe xhirimin në vendnunëro të asgjëkundit. Në presim e presim të mpirë dhe me sytë nga qielli. Remark thoshte me ironi : ” Jeta është e vështirë vetëm 70 vitet e para, pastaj gjërat fillojnë të përmirësohen”.

Ne jemi në udhëkryq   duke pushuar çdo 4 vite, të mikluar nga  ëndrra me sy hapur, pa e çarë kokën  për të nesermen e 11 majit  dhe pa e ditur se cila  rrugë   na çon në drejtimin e  duhur.

Ky është realiteti i hidhur i një vendi që quhet Shqipëri. Një vend që bën zgjedhje pa zgjidhje, një parlament pa debat, qytetarë pa zë, që presin në radhë, në heshtje,për të votuar të njëjtët.

Për të pritur të njëjtin rezultat. Dhe për të vazhduar  drejt një tranzicioni pa fund, deri sa historia të lodhet e të na harrojë fare, edhe pse ndodhemi në mes të Europës . Bash atje ku dielli lind e perëndon, por nuk po ndriçon dot më mbi Shqipërinë. Ndaj shtrohet vetëm një pyetje: Zgjedhjet e 11 majit si farsë, apo ndryshim?

Publikuar nga Publik Media