Nga Basir Çollaku
Sinani i partisë në Itali, rastësisht punonjës i DHL, gjezdis online mbushur krahët me zarfa fletësh votimi.
Të gjej të miat apo i marr e plotësoj të gjitha shkruan ai dhe vazhdon e mbështjell me qese paleta mbushur me zarfe votimi. I lumtur krahqafe shfaqet me Taulantin dhe diku tjetër me Braçen një socialist e një rilindas. Marifetet e patronazhimit prej muajsh kishin formatuar ushtrinë e kontrollit të çdo vote. Me presion shantazh, blerje. Me trysni ekstreme për çdo gjë.
Dhe vota e emigrantëve pati një skuqje politike në kufij të absurdit. Disa qarqe mbi 90 përqind duke rivalizuar dukshëm diktaturën. Ata votues ndryshe, shpesh nuk merrnin zarfe ose disa ustallarë partie në pushtet mbaronin punë te posta në emër të tyre. Kuotat e punonjësve të administratës u kthyen detyrime për qëndrim në punë.
Dhe në Greqi e Itali sulmi qeveritar kishte nisur prej muajsh. Në çdo lagje ku banonin shqiptarë me mundësi vote shfaqeshin “sinanët” dhe deformimi u kthye përditshmëri. Ata dërgoheshin nga bashkitë dhe zyrat publike për të qëndruar me javë e muaj atje.
Mjafton kqyrja e sistemit Tims për të nxjerrë listën e sinanëve të partisë, dërguar në emigracion për të patronazhuar çdo votë. DHL duket se nuk mundi të marrë seriozisht kontratën dhe qindra mijë zarfe shkuan nëpër duar pistierësh socialistë të gatshëm për ta kthyer në votë partie.
Ndërsa ankesat e shumta opozitare mbërrinin në KQZ tek komisioneri shtetëror, Iliriani, andej matanë në diasporë, me leje partie kërdiste punën e fletëve të votimit administrator e komisioner “sinani..”
Kështu vota e diasporës një e drejtë e vonuar kushtetuese u sinanëzua kudo me regji rilindase nga Rama dhe i dërguari i tij Balla. Për vëzhguesit e huaj ky monitorim mungon se ata mezi u sajuan brenda vendit. Por siguria do të njohë zhvillime madhore me shpikjen e policisë vullnetare.
Njerëz që do të harxhojnë kohën falas duke spiunuar për hesap të partisë. Ky është një zyrtarizim i patronazhimit me VKM për policinë vullnetare elektorale.