Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka ndryshuar qëndrim lidhur me garën për Bashkinë e Tiranës, vetëm pesë muaj pasi kishte shpallur aktorin Florian Binaj si kandidat të mbështetur nga opozita.
Në tetor të vitit të kaluar, konkretisht më 6 tetor, kur ishte parashikuar fillimisht data 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve në kryeqytet — të cilat më pas u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese — Berisha shprehej i bindur se Binaj do të përballej me kandidaten e socialistëve, Ogerta Manastirliu, dhe do të arrinte të fitonte drejtimin e bashkisë.
Por këtë të shtunë, gjatë një konference për shtyp, Berisha bëri të qartë se qasja ka ndryshuar. Ai theksoi se kandidatura për Tiranën nuk do të jetë më një emër i pavarur, por do të përcaktohet nga vetë opozita përmes proceseve të brendshme.
Kryedemokrati deklaroi se puna për përzgjedhjen e kandidatëve ka nisur dhe se emrat do të bëhen publikë shumë kohë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027.
“Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale.
Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira”, tha Berisha.
Në anën tjetër, Partia Socialiste ka përzgjedhur si emër për Tiranën Ogerta Manastirliu, ndërsa ambicie për kandidim ka shprehur edhe Erion Braçe. Për këtë të fundit, Berisha përdori tone të ashpra, duke e cilësuar si përfaqësues të një partie që sipas tij nuk ekziston më në formën e mëparshme.
“Ai është, ose mbahet si socialisti, si një përfaqësues i një partie që është zhdukur pa nam e nishan. Por nuk është zhdukur, por ka marrë trajtën e re, sepse kjo parti lindi në krim.
Ndaj dhe më mirë të mos komentoj për problemet e tyre. PD do tu ofrojnë qytetarëve të Tiranës, kandidaturën më të shkëlqyer, do të bëjë gjithçka një front më të gjerë me të gjithë opozitën.”, tha Berisha.







