“Zgjedhorja” fut në sherr Shehajn dhe Ballën: Doni të na asgjësoni!

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka hedhur akuza të forta ndaj PS dhe PD, duke i cilësuar se kanë bërë “pazar fshehurazi” për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Zgjedhor. Sipas tij, qëllimi i reformës zgjedhore është të eliminojë partitë e reja dhe të dobësojë alternativat politike në vend.

“Reforma Zgjedhore synon të vrasë partitë e reja, të zhdukë alternativat dhe të minojë demokracinë. Nuk e kuptoj se si mazhoranca dhe opozita bashkohen fshehurazi për të ngritur një komision pa përfshirë partitë e reja. Qëllimi është i qartë: pasi keni vjedhur bashkë për 35 vite, doni të vazhdoni të vidhni së bashku. Ky do të jetë rezultati i këtij komisioni të turpshëm”, deklaroi Shehaj.

Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u përplas me Shehajn në Kuvend, duke theksuar nevojën për nisjen sa më shpejt të punës së komisionit dhe përgatitjen e draftit për financimin e partive brenda datës 31 dhjetor. Ai u shpreh se mazhoranca dhe opozita kanë arritur një konsensus të lartë për përfshirjen e sa më shumë partive në komision, megjithëse partitë e vogla si Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë nuk do të jenë anëtare me të drejtë vote.

“Është e pamundur që një komision të përfshijë të gjitha partitë, por për herë të parë janë përfshirë shumica e tyre. Ti, Agron, je i mirëpritur në mbledhje dhe ke të gjitha të drejtat që kanë deputetët e tjerë. Rëndësi ka të ngrejmë standarde të reja transparence dhe të depolitizojmë komisionet, duke dhënë fund praktikave me miliona dollarë për lobime. Konsensusi që kemi arritur është 99%,” tha Balla.

Shehaj iu përgjigj Ballës duke ironizuar mbi çështjen e financimit të partive: “Është turp që flet PS për financimin e partive. Ku i gjeni miliona euro për fushata? Ky komision ka vetëm një qëllim: të zhdukë partitë e reja. Lojërat që bëni duke bashkëpunuar fshehurazi dhe pa përfshirë askënd tjetër nuk na bëjnë përshtypje. Flet për financimin e partive, por sqaroi se si financohen fushatat tuaja me miliona euro në media”, u shpreh Shehaj.

Publikuar nga Publik Media