Nga Klodian Tomorri
Të mirat e mandatit të katërt kulmuan këtë javë, veçanërisht në bastionet e pamposhtura që hodhën votën plumb për armikun më 11 maj dhe u bashkuan si një trup i vetëm rreth Partisë.
Në Elbasan po eksperimentohen forma të reja të shfarosjes në masë. Ekocidi. Efektiviteti i tij do të vlerësohet në vazhdim. Brenda pak vitesh, studiuesit do të kenë më të qarta kostot në jetë njerëzore, kostot në sistemin shëndetësor dhe dëmin ambiental. Por paraprakisht mund të thuhet se këto kosto do të jenë në përpjesëtim të drejtë me fitoren e fuqishme të 11 majit.
Në Vlorë, po provohet në terren se çfarë i ndodh shoqërisë kur i mohohet uji në temperatura 40 gradë. Gjithashtu, po testohet nëse njerëzit mund të mbijetojnë duke pirë ujë deti dhe lëngun e 9 mandateve plebishitare.
Megjithatë, në Vlorë duheshin disa fajtorë. Kështu që Sulltani nxori ferman dhe shpalli sabotatorë të rrezikshëm të gjithë patronazhistët parazitë të Bashkisë.
Domethënë, ujësjellësat i ka Ministria e Infrastrukturës, reformën e ka bërë po ajo, investimet i menaxhon po ajo, por faji pse populli në Vlorë thahet për ujë bie mbi hajdutët e vegjël që vegjetojnë nëpër zyrat e Bashkisë.
Kjo është panorama e përgjithshme e këtij fillim-mandati, për të cilin Sulltani thotë se nuk po e zë gjumi nga përgjegjësia dhe besimi i madh që i dha populli.
Në mikro, gjërat janë edhe më zbavitëse. Për shembull, pamjet e drejtorëve që dilnin tufë, me kokën ulur nga Bashkia, pasi kishin ngrënë shkopin e Sulltanit – nuk kanë të paguar.
Puna e do që mandati i “përgjegjësisë së madhe” të ketë edhe disa dëshmorë. Disa do të hanë shkopin e Sulltanit, disa të tjerë atë të Dumanit – me autorizim nga vetë Sulltani.
Por e rëndësishme është që Partia të ketë unitet, dhe që inceneratori i Elbasanit të vazhdojë të prodhojë energji. Qoftë edhe vetëm politike.