KONTRTA E LOBIMIT NË SHBA!
Nga Redaksia | Publik.al
Një tjetër skandal që përfshin kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara është tashmë nën hetim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Burime mediatike raportojnë për komunikime zyrtare midis kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, ku dokumentohet qartë kalimi i çështjes nga verifikimi në fazën e hetimit penal.
Në letrën e parë të datës 28 maj, Dumani njoftonte se “Prokuroria e Posaçme po kryen verifikime në kuadër të materialit kallëzues nr. 141”, ndërsa në letrën e dytë të datës 24 qershor, thuhet se “Prokuroria po kryen veprime hetimore në kuadër të procedimit penal nr. 143”, me objekt hetimi procedurën e negocimit, lidhjes dhe financimit të kontratës së lobimit.
Kontrata në fjalë është depozituar tashmë pranë SPAK nga Partia Demokratike. Sipas Flamur Nokës, kjo nuk është një kontratë e PD-së, por e një fondacioni amerikan, e firmosur nga shqiptaro-amerikani Nuredin Seci me kompaninë lobuese amerikane Continental Strategy LLC, në krye të së cilës ndodhet Carlo Trujillo, ish-këshilltar i Presidentit Trump.
Në këtë kompani punon gjithashtu vajza e Susie Wiles, shefes së personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Trump. Kjo lidhje me rrethin e ngushtë të ish-presidentit amerikan ka ndezur spekulime për një dimension të ri të kësaj kontrate lobimi në skenën ndërkombëtare.
SPAK nuk ka sqaruar ende se çfarë të dhënash konkrete e kanë shtyrë institucionin të kalojë nga faza e verifikimit në atë të hetimit të thelluar. Megjithatë, ky është rasti i dytë që një kontratë lobimi e Partisë Demokratike i nënshtrohet hetimeve nga SPAK. Rasti i parë ishte ai i “lobimit rus” të Lulzim Bashës, që u mbyll pa ngritje akuzash, por mbeti në kujtesën publike si një nga momentet më të errëta të financimit të fushatave nga burime të dyshimta.
Sipas Nokës, ky hetim është politik dhe i nxitur drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama:
“SPAK nuk ka thirrur asnjëherë Edi Ramën për aferën McGonigal, ndonëse kanë kaluar tre vjet. Tani janë trembur nga kontrata me avokatin e Presidentit Trump. Aferat me McGonigal, bashkëpunimi me kartelet e drogës dhe kontrolli i drejtësisë janë tashmë çështje që po dëgjohen në Kongresin Amerikan dhe në Shtëpinë e Bardhë.”
Noka këmbëngul se kontrata është ligjore dhe PD nuk ka paguar asnjë qindarkë për të:
“Unë jam vënë zyrtarisht në dijeni nga zoti Seci për nismën e tyre për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe kam dhënë pëlqimin për këtë shërbim që financohet tërësisht nga fondacioni në SHBA.”
Sipas tij, paraqitja në ambientet e SPAK të premten e kaluar nuk lidhje me këtë çështje, por me kallëzimet për krimet zgjedhore që PD ka bërë kundër qeverisë. Por sipas Sekretarit të PD, SPAK ka heshtur në mënyrë të njëanshme, duke u rreshtuar politikisht përkrah pushtetit aktual.