1.8 ton drogë në Berat, SPAK kërkon 133 vite burg për 17 të pandehurit
SPAK ka kërkuar në total 133 vite burg për 17 të pandehur, të akuzuar për kultivimin e rreth 1.8 tonëve kanabis përmes serave në fshatin Drenovicë.
Të pandehurit do të gjykohen me procedurë të shkurtuar, çka nënkupton përfitim të uljes së dënimit. Për katër prej tyre – Bashkim Mema, Drita Mema, Izmire Mema dhe Edison Mema – Prokuroria ka kërkuar pezullim të dënimit me burg dhe vendosjen në provë për një periudhë trevjeçare.
Sipas SPAK, nga aktiviteti i paligjshëm është përftuar një sasi prej 1.7 deri në 1.8 ton kanabis sativa. Të pandehurit përballen me akuzat për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municionit”.
Pretenca e SPAK për të pandehurit:
- Sadetin Hasaj – 13 vite burg
- Blerim Xheka – 13 vite burg
- Sidrit Bisha – 10 vite burg
- Suad Smakaj – 9 vite burg
- Jurgen Ujkaj – 10 vite burg
- Samoel Lushaj – 10 vite burg
- Endriol Xheka – 9 vite burg
- Mirvaldo Disha – 9 vite burg
- Hamdi Dyli – 8 vite burg
- Arben Vrapi – 6 vite burg
- Adiol Çifkiku – 6 vite burg
- Lulzim Bushataj – 5 vite burg
- Mustafa Manej – 5 vite burg
- Bashkim Mema – 5 vite burg
- Drita Mema – 5 vite burg
- Izmire Mema – 5 vite burg
- Edison Mema – 5 vite burg
Operacioni policor u zhvillua më 10 nëntor 2022, ku u sekuestruan rreth 870 kilogramë kanabis. Serat shtriheshin në një sipërfaqe prej 20–27 dynym në zonën e Rërës, në Drenovicë, ku katër sera të mbyllura me plastmasë përdoreshin për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.
Sipas hetimeve, organizimi, drejtimi dhe financimi i aktivitetit kriminal për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, si dhe “Kultivimin e bimëve narkotike”, bashkë me “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve dhe municionit”, kryhej nga Blerim Xheka dhe Sadetin Hasaj.
Ndërkohë, aktiviteti i kultivimit dhe shitjes mbikëqyrej nga Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj dhe Mirvaldo Disha.
Po ashtu, Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Hamdi Dyli dhe Samoel Lushaj mbanin armë pa leje për të garantuar mbarëvajtjen e aktivitetit të paligjshëm.
Në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kultivimi i bimëve narkotike realizohej kryesisht nga Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifkiku, Lulzim Bushataj, Mustafa Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.
Hetimet zbuluan se sipërfaqet e tokave ishin marrë me qira nga Hamdi Dyli dhe Arben Vrapi, së bashku me familjarët e tyre. Pas sigurimit të farave dhe fidanëve të kanabisit, si dhe marrjes së banesave me qira në Berat për të qenë pranë aktivitetit, u ngrit infrastruktura për kultivimin.
Nga korriku i vitit 2022, të gjithë të pandehurit, veçanërisht dy prej grave të përfshira, u angazhuan në rekrutimin e fuqisë punëtore nga zona të ndryshme të Shqipërisë, duke ofruar pagesa ditore, transport falas dhe akomodim në ambientet e serave, ku ishin ngritur edhe fjetore.
Të pandehurit kanë qenë të përfshirë në çdo fazë të aktivitetit, që nga kultivimi, mirëmbajtja e bimëve, prerja, tharja dhe përpunimi i kanabisit, deri te shitja e tij, si dhe menaxhimi i shpenzimeve për pajisje pune, ushqime, medikamente për bimët dhe pagesat e punëtorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



