1 Janar 2025 koncesionet pa garë, fytyra e vjetër e një viti të ri

Në një nga vendimet e para të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi të vijojë traditën e praktikave të dyshimta financiare, duke miratuar tre koncesione të reja për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmenteve rrugore pa një proces gare. Vendimi për këto kontrata 35-vjeçare ka ngjallur jo pak debat në një Shqipëri të lodhur nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i fondeve publike.

Tre rrugë, një model i vjetër

Segmenti Kashar-Pezë-Lekaj iu dha kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe partnerëve të saj, një emër i njohur për shqiptarët pas historisë problematike të Rrugës së Arbrit, një projekt që u shndërrua në simbol të vonesave dhe rritjeve të kostove.

Segmenti i dytë, Lekaj-Konjat-Fier, u aprovua për një grup operatorësh që përfshijnë “Fusha” dhe “Albavia”, emra që shpesh lidhen me projekte të kontestuara. Ndërsa segmenti i tretë, Milot-Thumanë, u miratua për “Gener 2” dhe “Illyrian Consulting Engineers”, kompani të lidhura shpesh me tenderë të majmë dhe pa konkurrencë.

Qeveria, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka mbrojtur këto vendime duke theksuar se projektet do të përmirësojnë standardet rrugore dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik. Por a mund të besohet një narrativë kaq e njohur, nëse ajo përsëritet në të njëjtën skenë të errët të mungesës së transparencës?

Kush paguan për këto aventura?

Koncesionet ­pa garë nuk janë vetëm problem moral dhe ligjor; ato janë barrë e rëndë për taksapaguesit shqiptarë. Me një borxh publik që i afrohet kufijve alarmantë, Shqipëria nuk mund të përballojë luksin e projekteve të fryra në kosto dhe me përfitues të paracaktuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar vazhdimisht se këto praktika dëmtojnë jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe besueshmërinë e vendit në tregjet ndërkombëtare.

Shqiptarët pektatorë

Këto vendime tregojnë një herë tjetër se qeveria vazhdon të shpërfillë interesin publik, duke u vënë në shërbim të një grushti biznesesh të privilegjuara. Proceset e mbyllura, mungesa e konkurrencës dhe përfituesit e përsëritur janë simptomat e një sistemi të kapur, ku shteti është i gatshëm të sakrifikojë interesin e qytetarëve për të favorizuar klientët e tij.

Në një fillimvit që duhej të sillte shpresë dhe ndryshim, këto vendime janë dëshmi e vazhdimësisë së një modeli të dështuar. Shqiptarët, tashmë të lodhur nga premtimet boshe dhe politikat e dyshimta, meritojnë më shumë se sa të jenë spektatorë të një skeme të përsëritur të abuzimit me pushtetin.

Edhe ne vitin  2025  jemi  të bllokuar në korsinë e koncesioneve të dyshimta

Publikuar nga Publik Media