E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
1 në 3 shqiptar nuk përballojnë dot qiratë dhe faturat mujore
Ekonomi

1 në 3 shqiptar nuk përballojnë dot qiratë dhe faturat mujore

Shqipëria renditet në krye të vendeve europiane për nivelin më të lartë të privimit të rëndë material dhe social, sipas të dhënave më të fundit të publikuara për vitin 2024. Ky tregues reflekton vështirësitë reale të qytetarëve për të përmbushur nevojat bazë të jetesës dhe nxjerr në pah hendekun e madh mes vendit dhe standardeve të Bashkimit Europian.

Sipas statistikave, 34.8% e popullsisë në Shqipëri jeton në kushte të privimit të rëndë material dhe social. Kjo përqindje është më e larta në Europë dhe rreth pesë herë më e lartë krahasuar me mesataren e BE-së, e cila qëndron në nivelin 6.3%.

Ky indikator mat përqindjen e individëve që nuk arrijnë të përballojnë të paktën 7 nga 13 elementë bazë për një jetë dinjitoze. Në këto elementë përfshihen pagesa e qirasë dhe faturave mujore, përballimi i shpenzimeve të papritura, ushqimi i rregullt me produkte si mish apo peshk, mundësia për pushime vjetore, blerja e veshjeve të reja, pjesëmarrja në aktivitete sociale dhe akses në internet.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet dukshëm më e prekur. Në Maqedoninë e Veriut niveli i privimit është 11.6%, në Serbi 10.3% dhe në Mal të Zi 12.3%, duke e bërë diferencën me Shqipërinë shumë të thellë.

Megjithatë, të dhënat tregojnë një përmirësim gradual ndër vite. Në vitin 2018, niveli i privimit të rëndë material dhe social në Shqipëri ishte rreth 46%, ndërsa në vitin 2024 ka rënë në 34.8%. Pavarësisht kësaj rënieje, vendi vazhdon të mbetet larg standardeve europiane.

Në nivel të Bashkimit Europian, situata ka ardhur në përmirësim të ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Numri i personave që jetojnë në kushte të tilla ka rënë nga rreth 41 milionë në vitin 2015 në 27.5 milionë në vitin 2024.

Brenda BE-së, nivelet më të larta të privimit regjistrohen në Rumani (16.8%), Bullgari (15%) dhe Greqi (14.9%). Ndërsa vendet me nivelin më të ulët përfshijnë Poloninë (2%), Holandën dhe Çekinë (2.6%), si dhe Austrinë (2.9%).

Treguesi i privimit material dhe social është një nga matësit kryesorë për mirëqenien ekonomike dhe sociale të popullsisë. Ai përfshin jo vetëm aftësinë për të përballuar shpenzimet bazë, por edhe mundësinë për të pasur një jetë sociale aktive dhe akses në shërbime të domosdoshme si interneti, duke reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e jetës së qytetarëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.