1 vit nga aksioni famoz, si dështoi çlirimi i hapsirave publike
Ka kaluar saktësisht një vit që nga korriku i vitit 2025, kur qeveria nisi atë që u prezantua si aksioni më i madh për “çlirimin e territorit” dhe rikthimin e hapësirave publike për qytetarët. Me ekskavatorë, inspektorë të IKMT-së dhe një fushatë intensive komunikimi, u premtua fundi i zaptimit të trotuareve dhe vendosja e një standardi të ri urbanistik.
Por, 12 muaj më vonë, bilanci tregon një realitet krejt tjetër. Shumica e hapësirave të liruara janë riokupuar nga bizneset, ndërsa premtimet për rregulla të reja dhe monitorim teknologjik nuk janë materializuar.
Premtimi për formulën 75/25
Më 19 korrik 2025, në kulmin e aksionit, kryeministri Edi Rama deklaroi se në Tiranë ishin çliruar rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike dhe paralajmëroi një formulë të re për përdorimin e trotuareve.
Sipas tij, 75% e hapësirës do t’u takonte këmbësorëve, ndërsa vetëm 25% njësive të shërbimit. Rama premtoi gjithashtu se nuk do të lejoheshin më struktura të ndërtuara mbi trotuare, përveç rasteve të parashikuara në projekte të mirëfillta urbanistike.
Megjithatë, një vit më pas, kjo formulë nuk është reflektuar në ndonjë akt ligjor apo rregullore të re të publikuar.
Dronët që nuk u panë
Vetëm dy ditë më vonë, më 21 korrik 2025, kryeministri premtoi se kontrolli i territorit nuk do të mbështetej më vetëm tek inspektorët, por edhe tek teknologjia.
Ai deklaroi se monitorimi i territorit do të kryhej përmes dronëve, të cilët do të evidentonin në kohë reale çdo shkelje.
Edhe ky premtim mbeti pa një zbatim të dukshëm publik. Nuk u prezantua asnjë sistem monitorimi i strukturuar dhe nuk u publikuan rezultate konkrete mbi funksionimin e tij.
“Rilindja Urbane 2.0” mbeti në letër
Në javët që pasuan, Rama publikoi vazhdimisht pamje nga prishjet e strukturave në Tiranë dhe qytete bregdetare, duke paralajmëruar nisjen e “Rilindjes Urbane 2.0”, me përfshirjen e arkitektëve vendas dhe të huaj.
Sipas deklarimeve të asaj kohe, bizneset do të pajiseshin me një plan të unifikuar estetik dhe urbanistik për mënyrën e përdorimit të hapësirave publike.
Një vit më vonë, një dokument i tillë nuk është bërë publik dhe nuk rezulton të jetë zbatuar një standard i ri unik për sistemimin e trotuareve.
Trotuaret u rikthyen në pikën zero
Pamja që ofrojnë sot shumë zona të Tiranës dhe qyteteve të tjera është pothuajse identike me atë para aksionit të verës së kaluar.
Karriget, tavolinat, platformat dhe elementët e bizneseve janë rikthyer në një pjesë të mirë të trotuareve, ndërsa këmbësorët vijojnë të lëvizin mes pengesave në hapësirat që një vit më parë u shpallën të “çliruara”.
Në praktikë, aksioni që u shoqërua me premtime për kontroll teknologjik, arkitektë ndërkombëtarë dhe një transformim të qëndrueshëm urban nuk arriti të prodhojë ndryshime afatgjata. Pas 12 muajsh, rezultati duket të jetë rikthimi i situatës në pikën e nisjes, ndërsa premtimet për një model të ri të menaxhimit të hapësirave publike mbetën pa zbatim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



