15 vite nga protesta e tragjike e 21 janarit
Sot mbushen 15 vite nga ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011, një nga ditët më të errëta të historisë së pas ’90-ës në Shqipëri. Gjatë protestës së organizuar nga Partia Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, katër qytetarë humbën jetën nga plumbat e Gardës së Republikës.
Viktimat e asaj dite ishin Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Ata u shpallën më pas “Dëshmorë të Atdheut”, si simbol i sakrificës dhe i një plage ende të hapur për shoqërinë shqiptare.
Pas më shumë se një dekade heshtjeje institucionale dhe dështimesh hetimore, çështja e 21 Janarit u rikthye zyrtarisht në vëmendjen e drejtësisë. Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi hetimet, në zbatim të vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Ky vendim erdhi pas kallëzimit të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, e cila ka kërkuar hetim penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si një “krim shtetëror që kërkon zbardhje të plotë”, duke theksuar se autoritetet shqiptare kanë dështuar për vite me radhë të ofrojnë një hetim efektiv dhe të pavarur.
Pesëmbëdhjetë vite më pas, 21 Janari mbetet jo vetëm një datë përkujtimore, por edhe një provë e hapur për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



