21-janari, Berisha paralajmëron para SPAK-ut: Do i tregoj të gjitha!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet sot nga gazetarët pas daljes nga ambientet e SPAK, ku ishte paraqitur për zbatimin e masës “Detyrim paraqitjeje”. Ai u ndal edhe tek çështja e fletëthirrjes për 21 janarin.
Berisha deklaroi se nuk ka marrë ende një fletëthirrje zyrtare nga SPAK lidhur me këtë çështje dhe se tani do të paraqitet që të japë dëshmi, pas marrjes së ftesës.
“Siç e dëgjove, kjo çështje është hetuar dhe janë dhënë një seri dënimesh. Për këtë çështje, unë kam dhënë deklarime në darkën e asaj nate. Nuk jam thirrur asnjëherë nga Prokuroria e Shtetit. Përkundrazi, kanë biseduar me mua zyrtarë të huaj, sepse kishin frikë nga deklaratat e mia,” tha Berisha.
Ai shtoi se ngjarjet e 21 janarit përbëjnë demonstratën më të dhunshme në historinë e vendit, duke akuzuar se Partia Socialiste kishte një “axhendë dhune”.
“Kushdo që e hap shef aty, mijëra gurë duke vërshuar drejt dritareve të ndërtesës, shef vrima plumbash. Ka një përcaktim ndërkombëtar që PS kishte axhendë dhune,” theksoi Berisha.
Ai shtoi se do të bashkëpunojë me SPAK dhe do të paraqitet për të dëshmuar gjithçka që di lidhur me ngjarjet e 21 janarit.
“Kam një adresë dhe një zyrë si kryetar i PD-së. Asgjë s’ka ardhur deri tani. Po të kisha parë, pse nuk do të vija? Tani që më ftuan, do të vi të dëshmoj gjithçka që di,” përfundoi Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



