E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
24 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, 7 mbeten ende aktive
Lajme

24 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, 7 mbeten ende aktive

Shqipëria është përfshirë sërish nga vatra të shumta zjarri. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera mbahen nën monitorim.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë kontribuar me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Aktualisht në terren janë 140 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Zjarri në malin e Dajtit vijon të jetë aktiv

Një nga vatrat që po kërkon ndërhyrje të vazhdueshme është ajo në malin e Dajtit në Tiranë, ku flakët vijojnë në të dyja anët e kreshtës.

Operacioni për izolimin e zjarrit po vijon me forcat operacionale dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter.

Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Operacion i gjerë në Gurë-Lurë

Në Gurë-Lurë të Dibrës po zhvillohet një prej operacioneve më të mëdha për kontrollin e flakëve.

Në terren janë angazhuar 180 forca bashkiake, 14 punonjës policie dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja ajrore po realizohet me dy avionë Air Tractor.

Autoritetet bëjnë me dije se hapja e korridoreve ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit në drejtim të zonave të banuara.

Vatra aktive në Mat, Mirditë dhe Pukë

Zjarre aktive raportohen edhe në Bruç të Matit, Lufaj të Mirditës dhe Fushë-Lajë të Pukës.

Në Fushë-Lajë, situata është vështirësuar nga era, e cila ka favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.

Për shuarjen dhe izolimin e zjarrit janë angazhuar zjarrfikës, efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të Shërbimit Pyjor, vullnetarë dhe mjete ajrore.

Zjarri në Qafë Helmës, ende aktiv në drejtim të Selishtës

Në Qafë Helmës, në kufirin mes Dibrës dhe Bulqizës, zjarri është shuar në krahun e Bulqizës, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës.

Edhe në këtë zonë, autoritetet raportojnë se flakët nuk paraqesin aktualisht rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Vakumone të Tiranës situata është vënë nën kontroll dhe vatra është izoluar. Zona e Priskës vijon të monitorohet nga strukturat përgjegjëse.

Autoritetet bëjnë me dije se situata në përgjithësi po menaxhohet përmes ndërhyrjes së forcave tokësore dhe mjeteve ajrore, me fokus te izolimi i vatrave aktive dhe mbrojtja e banesave.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.