27 vjet nga masakra e Reçakut dhe drejtësia që nuk erdhi kurrë
Mali përballë ende ia zgjon plagët e kujtesës Ramë Shabanit. Sa herë e sheh, i rikthehen çastet dramatike të janarit të vitit 1999, kur për pak sa nuk u vra nga breshëritë e forcave serbe që kishin rrethuar Reçakun nga çdo drejtim.
Në mendjen e tij është i ngulitur mëngjesi i 15 janarit, dita kur fshati i Shtimes u shndërrua në skenë masakre. Ai tregon se gjatë ikjes ka parë të vrarë përreth, ndërsa vetë ishte plagosur rëndë, i rrahur dhe i mbuluar nga plumbat që i kishin shpuar rrobat. Trauma e asaj dite, thotë ai, ende nuk është shuar.
Dhimbja më e madhe lidhet me humbjen e vëllait të tij 23-vjeçar, i cili u vra së bashku me dhjetëra civilë të tjerë pranë një përroi në mal, teksa përpiqeshin të shpëtonin. Shabani kujton momentin e ndarjes, kur një vendim i çastit i ndau përgjithmonë rrugët e tyre. Ai mbeti pas, ndërsa vëllai e kaloi gardhin, vetëm për t’u kapur dhe masakruar më pas. Ai rrëfen se atëherë u ndal dhe iu lut Zotit të mos e humbte arsyen përballë tmerrit që po shihte.
Një tjetër i mbijetuar i masakrës së Reçakut është edhe Agron Mehmeti. Në moshën 22-vjeçare, ai pa me sytë e tij vrasjen e axhës dhe të vajzës së axhës. Vitet më pas, në vitin 2002, ai dëshmoi për krimet e Reçakut në Tribunalin e Hagës, përballë ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq.
Mehmeti kujton se çdo herë që e shikonte Millosheviqin në sy, i shfaqeshin pamjet e trupave të masakruar të civilëve të Reçakut. Ai thotë se ka dëshmuar gjithçka që ka ditur, duke theksuar se provat dhe faktet e paraqitura ishin të forta dhe të pamohueshme.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak, duke propozuar gjykim në mungesë. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve shqiptarë.
Avokati Amer Alija paralajmëron se, ndonëse krimet e luftës nuk parashkruhen, vonesat në procesin gjyqësor dëmtojnë rëndë drejtësinë. Sipas tij, me kalimin e viteve humben dëshmitarë kyç dhe vdesin autorët e krimeve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit, në cilësinë e pjesëtarëve të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me vepra të rënda si trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik.
Masakra e Reçakut shkaktoi reagim të fortë ndërkombëtar. Shefi i misionit verifikues të OSBE-së, William Walker, e cilësoi atë si krim kundër njerëzimit. Vetëm dy muaj më pas, NATO nisi fushatën ajrore kundër forcave të ish-Jugosllavisë, një moment kyç që ndryshoi rrjedhën e historisë në Kosovë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



