E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
29-vjet nga Tragjedia e Otrantos, një nga plagët më të rënda shqiptare
Lajme

29-vjet nga Tragjedia e Otrantos, një nga plagët më të rënda shqiptare

81 jetë të humbura në det, familjarët: Drejtësia ende mungon!

Në Vlorë është përkujtuar këtë të shtunë 29-vjetori i Tragjedia e Otrantos, një nga plagët më të rënda në kujtesën kolektive të shqiptarëve, ku humbën jetën 81 persona në përpjekje për t’u larguar nga kaosi i vitit 1997.

Ceremonia përkujtimore u zhvillua pranë bregdetit, aty ku dhimbja duket se nuk është shuar kurrë. Familjarë të viktimave, qytetarë, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror u bashkuan për të nderuar jetët e humbura. Një instalacion simbolik me 81 karrige të vendosura buzë detit, nismë e ministres Erjona Ismaili, përfaqësoi secilin prej atyre që nuk arritën kurrë në destinacion. Ndërsa lule të hedhura në det krijuan një moment të heshtur reflektimi, që preku thellë të pranishmit.

Në këtë përkujtimore morën pjesë edhe prefekti i qarkut Vlorë, Evis Allushi, si dhe kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini. Atmosfera u bë edhe më prekëse nga interpretimi i këngëtares Xhesika Polo, e cila solli një këngë vaji në nder të viktimave, duke rikthyer emocione të forta tek familjarët.

Ministrja Ismaili theksoi se kjo tragjedi mbetet një plagë e hapur për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, duke nënvizuar se harresa do të ishte një padrejtësi e dytë për viktimat. Ajo bëri thirrje që përkujtimi të shërbejë si reflektim dhe si një paralajmërim që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimave shprehën sërish dhimbjen dhe zhgënjimin e tyre, duke theksuar se drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend. Sipas tyre, vendimet e dhëna nga autoritetet italiane nuk pasqyrojnë të vërtetën e plotë të asaj që ndodhi dhe nuk kanë dhënë përgjegjësi të qarta për humbjen e jetëve.

Ngjarja tragjike ndodhi më 28 mars 1997, në kulmin e krizës së rëndë që kishte përfshirë Shqipërinë pas rënies së firmave piramidale. Një anije shqiptare, e mbushur me 115 persona – burra, gra dhe fëmijë që kërkonin shpëtim dhe një të ardhme më të mirë – u nis drejt Italisë përmes Kanalit të Otrantos.

Gjatë një operacioni të marinës italiane për të ndaluar emigracionin e paligjshëm, anija u përplas me një mjet ushtarak italian dhe u përmbys në det të hapur. Përplasja rezultoi fatale: 81 persona humbën jetën, mes tyre edhe foshnja vetëm 3 muajshe. Pamjet e asaj dite dhe rrëfimet e të mbijetuarve mbeten ndër më të dhimbshmet në historinë moderne shqiptare.

Sot, 29 vite më pas, kujtimi i Tragjedisë së Otrantos vazhdon të jetë një thirrje për drejtësi, reflektim dhe respekt për jetët e humbura në një nga periudhat më të errëta të vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.