200 mijë votues më pak në zgjedhjet e 11 majit në gjithë Shqipërinë
Emigrimi masiv, jo apatia, po boshatis Shqipërinë dhe qendrat e votimit
Rezultati më tronditës i zgjedhjeve të 11 majit nuk është fituesi, por mungesa e votuesve. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se 200,136 qytetarë më pak votuan krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 – një rënie prej 12% që përkon me një valë të re emigracioni masiv.
Në kontrast me propagandën e qeverisë për kthimin e emigrantëve, rënia është e përhapur në të gjithë vendin: nga fshatrat malorë të Skraparit, te lagjet e pasura të Tiranës si ish-Blloku dhe Komuna e Parisit. Në Njësinë 6 të Kombinatit, pjesëmarrja ra me 17%, ndërsa në Allias dhe Laprakë u regjistruan rënie 11-12%. Madje edhe qyteti i Tiranës humbi 27 mijë votues.
Në qarqet Elbasan, Berat dhe Korçë, ku PS thelloi fitoren, u regjistruan humbjet më të mëdha të popullsisë votuese, deri në 17%. Megjithatë, socialistët ruajtën apo rritën përqindjen e votave të vlefshme – falë një baze elektorale të varur nga punësimi publik dhe shërbimet shtetërore.
Të dhënat sugjerojnë se rreth 50 mijë vetë në vit po largohen nga Shqipëria – ritëm që kërcënon të gërryejë aftësinë e vendit për zhvillim ekonomik, prodhim bujqësor dhe financim të sistemit të pensioneve. Ndërsa ndërtimi dhe turizmi fryjnë shifrat e rritjes, njerëzit po votojnë me këmbë: po ikin.