Rama kërkon vota në New York, edhe pse mbi 40% e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria
Naim Noka
Në një kohë kur kryeministri Edi Rama kërkon vota në New York, më shumë se 40% e shqiptarëve kanë bërë planet për t’u larguar nga vendi brenda dy viteve të ardhshme.
Ky është një fenomen që po godet veçanërisht shtresën e mesme, një grup që përfaqëson shpresën për stabilitet dhe përparim në çdo shoqëri.
Megjithatë, të dëshpëruar nga mungesa e perspektivës, të lodhur nga shërbimet e dobëta shëndetësore dhe të zhgënjyer nga një sistem që favorizon nepotizmin dhe paaftësinë, ata kanë vendosur të shohin një të ardhme përtej kufijve.
Sondazhi i fundit i “Monitor” nxjerr në pah këtë realitet shqetësues. Nga 857 persona që jetojnë në Shqipëri, 40% kanë deklaruar se janë gati të largohen për një jetë më të mirë, një fakt që bie në kontrast me retorikën optimiste të qeverisë për një Shqipëri në zhvillim e sipër. Ndërkohë që kryeministri përpiqet të forcojë imazhin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, realiteti i brendshëm për shqiptarët e arsimuar dhe të mirëpaguar është larg premtimeve dhe aspiratave.
Arsyet për këtë eksod janë të thella dhe komplekse, por njëra prej tyre është e qartë: mungesa e një shoqërie të organizuar dhe të drejtë. Shqiptarët që largohen nuk kërkojnë thjesht një pagë më të lartë, por kërkojnë një ambient ku ndihen të vlerësuar dhe të sigurt, ku fëmijët e tyre kanë shanse për edukim të mirë dhe përkujdesje shëndetësore të standardeve moderne. Në Shqipëri, këto aspirata janë të papërmbushura dhe pa shpresë për përmirësim.
Në vend që të përqendrohet tek çështjet thelbësore që po shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit masiv, qeveria vazhdon të investojë energji në propagandë dhe të fshehë realitetin. Shqipëria ka nevojë për një sistem të fortë dhe funksional arsimor dhe shëndetësor, për politika që të nxisin meritokracinë dhe të luftojnë korrupsionin, dhe mbi të gjitha për një qasje të sinqertë dhe transparente ndaj problemeve që po gërryejnë shoqërinë. Pa këto, largimi i shtresës së mesme do të vazhdojë, duke e lënë Shqipërinë pa intelektualë dhe profesionistë që mund të kontribuonin në zhvillimin e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



