E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
380 të burgosur drejt lirimit, amnistia e re në sitën e SPAK
Lajme

380 të burgosur drejt lirimit, amnistia e re në sitën e SPAK

Grupet e angazhuara në hartimin e projektligjit për amnistinë e të dënuarve në burgje i janë drejtuar edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të marrë një opinion zyrtar.

Dokumenti i dërguar SPAK-ut, si edhe institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, përmban një pasqyrë të veprave penale që parashikohet të përfshihen në amnisti, format e përfitimit (ulje dënimi apo pushim procedimi penal), si dhe kriteret përjashtuese. Kërkesa për një qëndrim nga SPAK është konsideruar e domosdoshme, duke pasur parasysh se nga amnistia e vitit 2024 përfituan rreth 70 persona të hetuar nga SPAK dhe të gjykuar nga GJKKO, kryesisht për vepra që lidhen me ndikimin e paligjshëm, shkeljen e barazisë në tendera dhe shpërdorimin e detyrës.

Në një përgjigje dhënë gazetares Anila Hoxha, Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se ka shqyrtuar projektligjin dhe ka kthyer mendimin e saj lidhur me përmbajtjen e tij.

“Në parim kemi shprehur dakordësi me projektligjin për amnistinë dhe vlerësojmë se ndryshimet e propozuara nuk cenojnë kompetencat thelbësore të Prokurorisë së Posaçme. Njëkohësisht, kemi rekomanduar që në ligjin e amnistisë të mos përfshihen vepra të tjera penale jashtë kompetencës së SPAK, por që mund të lidhen ngushtë me çështje penale që hetohen nga kjo prokurori”, thuhet në qëndrimin zyrtar të SPAK.

Nga amnistia e vitit të kaluar, 730 persona u liruan nga burgjet, ndërsa rreth 1 600 të dënuar përfituan ulje të dënimit. Për amnistinë e re, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se parashikohet që afërsisht 380 të burgosur të mund të lënë qelitë, megjithëse ende nuk është hartuar një listë përfundimtare e përfituesve.

Drafti i shpërndarë institucioneve parashikon si përfitues meshkujt e dënuar me vendim të formës së prerë deri në tre vjet burg, dënime alternative ose gjoba, me kusht që vendimi të ketë marrë formë të prerë deri më 31 dhjetor 2025. Në këtë kategori përfshihen edhe të dënuarit që, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, kanë deri në tre vjet burg të mbetur për të vuajtur. Po ashtu, propozohet përfshirja e grave të dënuara deri në katër vjet burgim.

Diskutohet gjithashtu mundësia e uljes së dënimit deri në një vit për gratë e burgosura, si edhe një ulje e ngjashme për burrat. Nga përfitimi i amnistisë pritet të përjashtohen të dënuarit për vrasje, ata me dënim të përjetshëm, si dhe një kategori e veçantë e të dënuarve nga gjykata antikorrupsion. Në draft është hedhur edhe ideja e përjashtimit nga ndjekja penale e kallëzimeve të depozituara gjatë këtij viti për vepra që parashikojnë dënim maksimal deri në dy vjet burg, ndërsa projektligji prek edhe personat që ndodhen nën shërbim prove.

Nisma për amnistinë u njoftua fillimisht nga ministri i Drejtësisë dhe më pas u konfirmua publikisht edhe nga kryeministri. Megjithatë, zbatimi i saj pritet të kërkojë ende kohë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.