4.2 mln € për koncertin e Kanye West, ndërsa QSUT kërkon donacione
Një kontrast i fortë ka ndezur debat publik në vend, pasi në të njëjtën kohë që qeveria shqiptare ka akorduar 4.2 milionë euro për financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West, spitali më i madh publik në vend, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), u është drejtuar qytetarëve me një thirrje për donacione për të siguruar pajisje bazë mjekësore.
Denoncimi u bë publik nga gazetari Osman Stafa, i cili publikoi edhe dokumentin zyrtar të QSUT-së, ku institucioni shëndetësor kërkon mbështetje për blerjen e dhjetëra pajisjeve të domosdoshme për trajtimin e pacientëve.
Në dokumentin përkatës, QSUT liston një sërë nevojash urgjente, duke përfshirë pajisje si kompjuterë, printerë, aparatura monitorimi për pacientët, respiratorë, defibrilatorë, elektrobisturi, aparate EKG, mikroskop kirurgjikal, si dhe pajisje të tjera të rëndësishme për funksionimin normal të shërbimit spitalor.
Sipas njoftimit, këto pajisje janë të nevojshme për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve, ndërsa qytetarët ftohen të kontribuojnë për përmbushjen e këtyre nevojave.
Ky zhvillim ka rikthyer në qendër të vëmendjes gjendjen e sistemit shëndetësor publik dhe ka ngritur pikëpyetje mbi prioritetet e shpenzimeve të buxhetit të shtetit.
Nga ana tjetër, financimi i koncertit të Kanye West ka shkaktuar reagime të forta politike. Qeveria e ka mbrojtur vendimin, duke e cilësuar si një investim strategjik për promovimin e vendit dhe rritjen e turizmit, me pritshmërinë që eventi të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme për ekonominë.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se ky aktivitet synon ta pozicionojë Shqipërinë në një hartë të re globale të eventeve ndërkombëtare, duke argumentuar se fondi i përdorur do të rikthehet përmes ndikimit ekonomik.
Ndërkohë, opozita ka ndërmarrë hapa ligjorë duke kallëzuar në SPAK kryeministrin dhe ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, me akuza që lidhen me shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave ligjore në përdorimin e fondeve publike.
Sipas saj, fondi rezervë i shtetit duhet të përdoret vetëm në raste emergjencash dhe jo për financimin e eventeve private.
Publikimi i dokumentit të QSUT-së ka intensifikuar debatin, duke nxjerrë në pah kontrastin mes investimeve në aktivitete artistike dhe nevojave urgjente në sistemin shëndetësor, në një kohë kur spitali universitar kërkon ndihmën e qytetarëve për të siguruar pajisje jetike për pacientët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



