4 kandidatë për kreun e Policisë së Shtetit, me vijë të kuqe nga SPAK
Deklarata e fortë e gazetarit
Gazetari Igli Çelmeta ka deklaruar se gara për drejtimin e Policia e Shtetit është shoqëruar me problematika serioze sa i përket verifikimit të kandidatëve.
I ftuar në emisionin Off the Record në A2 CNN, ai u shpreh se të paktën katër nga kandidatët kanë rezultuar me probleme në “pastërtinë e figurës”, një nga kriteret kryesore për përzgjedhjen në këtë post të rëndësishëm.
Sipas tij, Ministria e Brendshme ka zhvilluar verifikime të detajuara për kandidatët, duke kërkuar informacion nga institucionet ligjzbatuese si SHISH dhe SPAK, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Nga këto verifikime, katër prej kandidatëve kanë rezultuar me problematika në këtë aspekt dhe, sipas burimeve, nuk pritet të përzgjidhen në krye të policisë.
Më tej, Çelmeta paralajmëroi se pas emërimit të drejtorit të ri, pritet edhe një valë e re “spastrimi” në radhët e Policia e Shtetit, në bashkëpunim mes Ministrisë së Brendshme, policisë dhe SPAK-ut, me qëllim rritjen e integritetit të institucionit.
Sipas tij, nga lista prej 14 kandidatësh në garë, të paktën katër kanë probleme me pastërtinë e figurës, çka i përjashton praktikisht nga mundësia për të marrë drejtimin e policisë.
“Një ndër kriteret kryesore është që Ministria e Brendshme ka kryer verifikimet e figurës së kandidatëve, duke kërkuar informacione ne organet ligjzbatuese, duke përfshirë SHISH-in dhe SPAK-un, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Burime konfidenciale më bëjnë me dije se disa kandidatë që aplikojnë për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit kanë rezultuar me probleme me pastërtinë e figurës, dhe nuk do zgjidhen në krye të policisë së vendit. Përveç këtyre kandidatëve, pritet që pas zgjedhjes së drejtorit të ri të Policisë, të kemi një spastrim të ri në Policinë e Shtetit, ku do të kemi një bashkëpunim të Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut, për pastrimin e Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve që kam nga lista me 14 kandidatë, të paktën 4 prej tyre rezultojnë me probleme me pastërtinë e figures”, u shpreh gazetari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



