4 mënyrat si mund të përfitohet banesë e përballueshme nga shteti
Çmimet e larta të apartamenteve dhe qirave në tregun e lirë e kanë kthyer blerjen e një shtëpie në një mision pothuajse të pamundur për mijëra familje të thjeshta në Shqipëri. Përballë kësaj situate, qeveria ka propozuar një projektligj të ri, i cili prezanton konceptin e “Strehimit të Përballueshëm”.
Kjo reformë nuk synon shtresat në varfëri ekstreme, por targeton drejtpërdrejt shtresën e mesme: çiftet e reja deri në 45 vjeç, të rinjtë deri në 29 vjeç në fillimet e karrierës, studentët dhe punonjësit e shërbimeve publike (mjekë, mësues, policë).
Sipas projektligjit të ri, administrimi i skemës do të kalojë në dorën e Agjencisë Kombëtare të Territorit dhe Strehimit Social. Për qytetarët që plotësojnë kriteret ekonomike, ligji hap 4 rrugë zyrtare për të siguruar një shtëpi të lirë ose mbështetje financiare.

1. Programi “Qira me të Drejtë Blerjeje” (QDB)
Kjo është një nga risitë e ligjit të ri për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë menjëherë një vlerë të madhe kapitale.
• Si funksionon: Qytetari futet të jetojë në një banesë në pronësi të shtetit (të administruar nga AKTSS) dhe paguan një tarifë periodike mujore (qira).
• Përfitimi: Ndryshe nga qiratë normale ku paratë shkojnë vetëm për qiranë, në këtë program një pjesë e mirë e pagesës mujore llogaritet automatikisht si këst për blerjen e shtëpisë. Pas kalimit të afatit të kontratës, apartamenti kalon përfundimisht në pronësinë tuaj.
2. Blerje me “Financim të Kombinuar” (Formula 30-40-30)
Ky mekanizëm është projektuar për familjet që duan të blejnë një shtëpi menjëherë, por çmimet e tregut janë jashtë mundësive të rrogës së tyre.
• Si funksionon: Barra financiare e blerjes së shtëpisë ndahet në tre pjesë:
• 30% e vlerës paguhet nga vetë qytetari (përmes kursimeve).
• 40% e vlerës sigurohet përmes një kredie standarde bankare.
• 30% e vlerës dhurohet falas nga shteti në formën e një granti të menjëhershëm ose subvencioni nga Fondi për Strehim.
Këtë pjesë qytetari nuk ka asnjë detyrim ligjor ta kthejë mbrapsht, pasi ajo jepet si grant.
3. Kredi me Interes 0% dhe Garanci Financiare
Për qytetarët që aplikojnë në programin e Banesave me Kosto të Ulët (BKU), shteti ka hequr barrierat kryesore që vendosin bankat private.
• Interesi 0%: Shteti merr përsipër të paguajë të gjitha interesat bankare përmes Fondit për Strehim. Qytetari do të kthejë në bankë vetëm vlerën neto të kredisë që ka marrë (principalin), pa asnjë lek shtesë.
• Garancia shtetërore: Nëse një qytetar ka rrogë të mjaftueshme për të paguar këstin, por banka e refuzon sepse nuk ka kolateral (pronë tjetër për ta lënë peng), AKTSS futet si garant zyrtar përpara bankës duke mbuluar rrezikun e kredisë.
4. Apartamente “Me Kosto të Ulët” në Komplekse Shtetërore
Reforma sjell shkrirjen e Entit Kombëtar të Banesave dhe zëvendësimin e tij me një shoqëri aksionere shtetërore të quajtur “Shoqëria Shqiptare e Strehimit Social” (SHSHSS, sh.a.).
• Si funksionon: Kjo kompani shtetërore do të ndërtojë blloqe banimi me destinacion të kombinuar. Brenda të njëjtit bllok do të ketë banesa sociale me qira të lirë, banesa që shiten në treg të lirë për të nxjerrë fitim, dhe banesa me kosto të ulët.
• Përfitimi: Qytetarët e shtresës së mesme kanë të drejtë të aplikojnë për të blerë apartamentet e kategorisë “me kosto të ulët” brenda këtyre komplekseve publike, të cilat do të ofrohen me çmime shumë më të lira se sa çmimet e tregut privat.
Shtëpitë nuk mund të shiten apo jepen me qira
Për të bllokuar spekulantët që kërkojnë të përfitojnë nga fondet publike, ligji i ri ka vendosur një kusht të hekurt: shtëpia e përfituar përmes këtyre 4 mënyrave duhet të përdoret ekskluzivisht si vendbanimi kryesor i familjes. Ndalohet rreptësisht shitja e saj apo dhënia me qira tek të tretët për një periudhë të caktuar vitesh.
Nëse një qytetar tenton ta kthejë shtëpinë në biznes, shteti do të aktivizojë ligjin për t’i marrë mbrapsht të gjithë vlerën e financimit ose grantit të dhuruar.
Nga vijnë paratë? Një fond me burime të kombinuara
Për të financuar këto programe, shteti ka krijuar Fondin për Strehim dhe Kohezion Social. Ndryshe nga sa mund të mendohet, ky fond nuk varet vetëm nga një burim, por mbështetet në një arkitekturë të tërë financiare publike dhe private:
• Kontributi 3% i ndërtuesve privatë: Çdo kompani që ndërton pallate banimi me sipërfaqe mbi 2,000 m², detyrohet të paguajë në fond një vlerë monetare të barasvlershme me 3% të sipërfaqes së ndërtimit me çmim tregu. Pa këtë, nuk merr leje ndërtimi apo përdorimi.
• Paratë e alokuara nga Buxheti i Shtetit: Çdo fillim viti, ministria kalon transfertë buxhetore për AKTSS-në, të cilat përdoren posaçërisht për subvencionimin e qirave në treg, interesat e kredive dhe grantet për rikonstruksion banesash.
• Fitimet nga tregu i lirë: Agjencia ka të drejtë të shesë apartamente me çmim të plotë tregu brenda projekteve të saj të kombinuara dhe të gjitha këto të ardhura i kalon direkt te fondi i strehimit social.
• Donacionet dhe Grantet Ndërkombëtare: Financime nga institucione financiare ndërkombëtare (si Banka Botërore apo Banka e Këshillit të Evropës), organizata jofitimprurëse dhe donatorë të tjerë.
• Pasuritë e konfiskuara nga krimi: Ndërtesat ose pronat e sekuestruara nga shteti në kuadër të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, me vendim qeverie, kalojnë në kuadër të këtij Fondi./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



