E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
4 mln eurot për Kanye West, shpërthen skandali i biletave falas
Denoncime

4 mln eurot për Kanye West, shpërthen skandali i biletave falas

A po përdoren administrata dhe nxënësit për të mbushur stadiumin?

Debati për financimin me 4 milionë euro nga qeveria të koncertit të Kanye West në Shqipëri po merr përmasa të reja, pasi kanë nisur raportime dhe denoncime se organizatorët po përpiqen të mbushin stadiumin përmes shpërndarjes së biletave falas në shkolla dhe administratën publike.

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama pranoi se qeveria kishte ndërhyrë me fonde nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për të shmangur anulimin e koncertit, janë ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si po menaxhohet eventi dhe interesin real të publikut për të.

Sipas raportimeve të Monitor, deri në fund të muajit maj ishin shitur rreth 25 mijë bileta, ndërsa arena e ndërtuar në zonën e Kasharit ka një kapacitet rreth dy herë më të madh. Kjo ka sjellë diskutime mbi numrin e pjesëmarrësve dhe arsyet e ndërhyrjes financiare të shtetit.

Dyshime për shpërndarje falas të biletave

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar denoncime dhe mesazhe sipas të cilave bileta për koncertin po u ofrohen falas nxënësve të shkollave, me argumentin e “vlerësimit të nxënësve të dalluar”.

Po ashtu, disa punonjës të administratës publike pretendojnë se janë informuar për mundësi marrjeje biletash falas përmes shpërndarjeve ose “lotarive”.

Sipas disa raportimeve online, janë bërë përpjekje që bileta të ofrohen edhe për persona me ndikim në rrjetet sociale, në kuadër të fushatave promovuese për koncertin.

Nëse këto pretendime do të konfirmohen, atëherë ngrihet pyetja nëse strukturat publike dhe sistemi arsimor po përdoren për të rritur numrin e pjesëmarrësve në një event privat, pas ndërhyrjes financiare të shtetit.

Qeveria ndryshoi qëndrimin për financimin

Polemikat janë shtuar edhe për shkak të deklaratave të mëparshme të qeverisë, e cila kishte këmbëngulur se koncerti ishte një organizim privat dhe se nuk do të përdorej asnjë fond publik.

Megjithatë, më pas kryeministri Edi Rama bëri të ditur se nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit ishin akorduar 4 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e koncertit, duke argumentuar se anulimi i eventit do të dëmtonte imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Reagimi i opozitës

Për këtë çështje ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili ka akuzuar qeverinë se po përdor nxënësit për të kompensuar mungesën e interesit për koncertin.

“Nën fasadën e ‘nxënësve të shkëlqyer dhe me arritje’ fshihet një zbrazëti në stadium që duhet mbushur duke përdorur shkollat. Nxënësit kanë nevojë për mbështetje financiare nga shteti, jo të përdoren si mbushës për ahengje private”, deklaroi Noka.

Sipas tij, fondi rezervë i shtetit duhej të përdorej për çështje prioritare sociale dhe shëndetësore dhe jo për një aktivitet privat.

Deri tani, pretendimet për shpërndarjen e biletave falas nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet apo organizatorët e koncertit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.