Landi Çela
Në një vend normal, lajmi se një forcë politike shpenzon 6 milionë euro për të lobuar në SHBA do të hapte një debat të madh mbi burimin e fondeve dhe mbi moralin e aktorëve politikë. Në Shqipëri, ky është thjesht një tjetër episod që i shtohet rrëfimit të gjatë të zhgënjimit.
Le ta themi që në fillim: paratë nuk janë mbledhur nga shqiptarët e Amerikës në një fushatë entuziaste për të mbështetur një lider të opozitës. Nuk janë as ndihmë e sinqertë nga komuniteti i emigrantëve, as një akt solidariteti politik. Janë para biznesesh që kanë lulëzuar nën sundimin e gjatë të Edi Ramës, pa dallim nëse janë para të pastra apo të pista. Dhe sot, një pjesë e atyre milionave shërben për një tjetër kauzë personale: fshirjen e një “non grata”-je dhe rikthimin e një figure të vjetër në qendër të vëmendjes.
Nuk ka dyshim se eksponentë kryesorë të Partisë Demokratike kanë përfituar gjatë këtyre viteve, duke ndërtuar pasuri të konsiderueshme. Ky nuk është thjesht një mëkat moral; është një realitet i dukshëm që i bën edhe më të hidhura përpjekjet për të paraqitur veten si shpresa e fundit e një vendi në krizë.
Dhe këtu qëndron tragjedia më e madhe: ata që besuan. Ata që mbajtën gjallë shpresën në opozitën që do të përmbyste pushtetin e lodhur të Edi Ramës. Ata që shpresuan tek një ndryshim të vërtetë, por që sot ndihen më të vetmuar dhe më të tradhtuar se kurrë. 6 milionë euro për një lobim që shërben më shumë si makiazh personal sesa si projekt politik për Shqipërinë, janë fatura që u faturohet në heshtje shpresave të një populli të tërë.
Në këtë fushatë elektorale, kryetari i PD-së ka deklaruar se nuk ka ambicie për t’u bërë kryeministër. Dhe ndoshta kjo është një nga të paktat të vërteta që ka thënë. Sali Berisha nuk kërkon pushtetin qeveritar – ai kërkon pushtetin mbi PD-në. Një fushëbetejë personale për të ruajtur një trashëgimi politike dhe për të larë hesapet personale me historinë.
Ndërkohë, Shqipëria përgatitet të përjetojë një tjetër raund të zgjedhjeve të lodhshme, ku alternativat duken gjithnjë e më të vakëta. Një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të bindur se loja politike është bërë thjesht një garë për mbijetesë personale mes figurave të konsumuar, ku idealet nuk kanë më vend.
Në këtë sfond të zymtë, përpjekjet e analistëve të paguar për të fajësuar “opozitën e opozitës” nuk arrijnë të mbulojnë realitetin: Shqipëria nuk ka nevojë për një përballje të stërvjetëruar mes Berishës dhe Ramës. Ka nevojë për një ringjallje politike që nuk vjen nga milionat e lobimit, por nga një vizion i ri për vendin.
Dhe nëse 6 milionë euro të shpenzuara për fshirjen e një njolle do të sjellin një të mirë, ajo do të ishte vetëm kjo: shumë shqiptarë do ta kuptojnë më qartë se duhet të mendojnë dhe të zgjedhin vetë, larg hipnozës së liderëve që përdorin miliona për të rilyer historinë e tyre personale.
Në fund të fundit, askush nuk të detyron të zgjedhësh midis dy alternativave të njëjta në thelb. As Rama dhe as Berisha nuk janë monopolistët e së ardhmes së Shqipërisë. Dhe zgjedhja për të mos zgjedhur asnjërin është ndoshta akti më i shëndetshëm politik që mund të bëhet në këto kohë.