735 pedagogë kundër Ramës, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeveri kujdestare
Një grup prej 735 pedagogësh dhe përfaqësuesish të botës akademike kanë firmosur deri më tani një deklaratë me pesë pika, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare, në një kohë kur protestat në Tiranë kanë hyrë në ditën e shtatë.
Deklarata, e iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, shpreh kundërshtimin e firmëtarëve ndaj asaj që ata e cilësojnë si dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestave.
Mes emrave që kanë firmosur dokumentin janë akademiku Stefan Çapaliku, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Andri Koxhaj, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi, akademiku Ardian Ndreca dhe Arbër Rendi, anëtar i Senatit Akademik.
Pesë kërkesat e pedagogëve: Nga dorëheqja e Ramës te qeveria kujdestare
Në pikën e parë të deklaratës, firmëtarët i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe të ndërmarrë hapa për qetësimin e situatës politike.
Ata kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila, sipas tyre, duhet të garantojë stabilitetin institucional, të ndihmojë në kapërcimin e krizës dhe të respektojë vullnetin e qytetarëve.
Në pikën e dytë, pedagogët i drejtohen Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera përgjegjëse për rendin publik, duke kërkuar ndalimin e çdo akti dhune ndaj studentëve. Ata u bëjnë thirrje efektivëve të refuzojnë zbatimin e urdhrave që firmëtarët i konsiderojnë të paligjshëm.
Pika e tretë u drejtohet përfaqësive diplomatike në Tiranë. Pedagogët kërkojnë që ato të reagojnë publikisht në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe respektimit të lirive themelore.
Në pikën e katërt, firmëtarët u bëjnë thirrje protestuesve të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private. Sipas tyre, ruajtja e karakterit paqësor të protestës do t’i hiqte qeverisë çdo justifikim për përdorimin e dhunës dhe delegjitimimin e kërkesave të qytetarëve.
“Njësoj si në 1991”, thirrja për t’iu bashkuar studentëve
Në pikën e pestë, pedagogët u bëjnë thirrje qytetarëve të Tiranës që t’u bashkohen studentëve, duke sjellë në vëmendje edhe lëvizjet studentore të vitit 1991.
Në fund të deklaratës, firmëtarët përcjellin një mesazh të drejtpërdrejtë për rolin e studentëve në protestat e ditëve të fundit.
“Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh. Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna”, thuhet në deklaratë.
Nisma vjen në një moment kur protestat në kryeqytet vijojnë prej shtatë ditësh, ndërsa kërkesat për ndryshim politik dhe reagimet ndaj ndërhyrjeve të policisë kanë nxitur qëndrime nga përfaqësues të akademisë dhe jetës publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



