11 Pyetje për konkursin e trukuar në vitin 2008 për të shkatërruar njollën e vetme të gjelbër të Tiranës
25 Shtator 2008!
…Dhe meqë shoqatat e rrjetit Rama-Soros-Ambasada Holandeze nuk na lejuan të denonconim trukimin e konkursit holandez ku u përfshi djali ish-drejtoreshës së “Soros” dhe menaxhere e fondeve te Ambasadës Holandeze për 4 vjet, për t’i dhënë Ramës kredibilitet në shkatërrimin e të vetmes njollë të gjelbër sinjifikative që i ka mbetur Tiranës, po i bëj 11 pyetjet të thjeshtuara publikisht në media që t’i shohin të gjithë:
1. A është e vërtetë se Rama ka pasur asistencë nga një subjekt holandez, i cili ka lidhje si me firmën 51N4E fituese të qendrës së Tiranës dhe firmën fituese holandeze MVRDV të Parkut të Liqenit për të ndërtuar Jurinë për konkursin e qendrës së Tiranës dhe të Parkut të Liqenit?
2. A është e vërtetë që dy anëtarë të dy jurive, miqtë e ngushtë Andreas Ruby dhe Xaveer de Geyter të jenë partnerë me firmën fituese 51N4E?
3. Ç’lidhje ka anëtari tjetër i jurisë, arkitekti kroat që punon prej 17 vjetësh në Amsterdam, Vedran Mimica me firmën fituese 51N4E?
4. A është e vërtetë që anëtari grek i dy Jurive Elia Zenghelis (që punon në Holandë) të jetë kontraktuar nga Bashkia Tiranë për t’i bërë një masterplan në Laprakë dhe të ketë marrë leje nga Bashkia Tiranë për disa pallate në Laprakë dhe Kinostudio në 2005?
5. A është e vërtetë që Marin Biçoku, anëtar i jurisë është edhe anëtar i KRRT-së dhe a përbën kjo konflikt interesi, pasi KRRT-ja gjykon projektet?
6. A është e vërtetë që dy anëtarët e jurisë së Liqenit, Marin Biçoku dhe Arben Biçoku, të jenë nga e njëjta familje dhe a është normale që dy shqiptarë nga e njëjta familje të marrin pjesë si anëtarë Jurie Ndërkombëtare?
7. A është e vërtetë që anëtari i Jurisë së Parkut të Liqenit, Johan Anrys, është staf i 51N4E?
8. A është e vërtetë që anëtarja e jurisë së Parkut të Liqenit, libanezja Roueida Ayache është një ndër arkitektët e zgjedhur nga Rama 3 vjet më parë për të bërë masterplanin e Tiranës?
9. Të gjithë këta emra të përfshirë në Jurinë e Qendrës dhe të Parkut, duke qenë të kontraktuar nga Bashkia apo firma fituese, d.m.th që kanë marrëdhënie financiare që varen nga Bashkia apo firma fituese, a janë të pavarur në vendimet që marrin?
10. Mbi cilin ligj dhe mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur pikërisht këta njerëz, të cilët kanë varësi reciprociteti apo konflikte të pastra interesi?
11. Dhe pyetja më e rëndësishme: A është e vërtetë që firma belge 51N4E që fitoi konkursin e qendrës së Tiranës kishte si përfaqësues artistik (çfarë termi!) djalin e ish-drejtoreshës së “Soros” Tiranë, piktorin Anri Sala, një ndër miqtë më të afërt dhe më të vjetër të Edi Ramës?
Avokati Altin Goxhaj – Aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Hapësirave Publike
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



