E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erion Veliaj nën presion: Rama paralajmëron ulje të detyruar për ‘avionin’ e tij
Lajme

Erion Veliaj nën presion: Rama paralajmëron ulje të detyruar për ‘avionin’ e tij

 

Naim Noka

Ajo çka po ndodh mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt është më shumë sesa një përplasje politike e brendshme. Është një telenovelë komplekse, ku çdo episod duket të jetë me plot kthesa dhe shantazhe të heshtura, por të qarta. Kryeministri Rama, një mjeshtër i manovrave të pushtetit, ka nisur lojën e tij të zakonshme me Veliajn, duke i kujtuar se ai nuk është imun ndaj fatit të shumë të tjerëve që kanë kaluar nëpër të njëjtin “tërren të minuar.”

Grija në fytyrën e kryebashkiakut të Tiranës ishte e dukshme kur, një javë më parë, Rama emëroi Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun si drejtueset e qarkut të Tiranës, një pozicion që tradicionalisht Veliaj e kishte monopolizuar. Kjo lëvizje ka qenë një sinjal i qartë: Veliajt po i rrëshqet kontrolli. Dhe ndërsa Veliaj u përpoq të fshihte shqetësimin, Rama nuk ngurroi të ironizonte zellin e tij, duke e vënë në lojë për herë të disatë.

Në mbledhjen për ndarjen e detyrave të qarkut të Tiranës për strukturat e PS-së, Veliaj nuk e fshehu entuziazmin kur u shpreh: “Tani avioni im do të punojë me dy motorë.” Por Rama, me ironinë që e karakterizon, e frenoi shpejt: “Lali ka qejf avionin, po më mirë të rrijë tek lokomotiva. Se kur fluturon shumë lart, nuk i dihet si është ulja në pistë.”

Këto fjalë të Ramës nuk janë rastësore. Ato janë një paralajmërim i hapur se, pavarësisht besnikërisë që Veliaj përpiqet të tregojë, fati i tij varet tërësisht nga vendimet e kryeministrit. Ashtu siç Tahiri dhe Ahmetaj e provuan në të kaluarën, nuk mjafton të jesh pjesë e oborrit të Ramës për të qenë i paprekshëm. Me Arben Ahmetaj kryeministri kalonte thuajse shumicën e kohës dhe kishte marrëdhënie familjare  por një ditë të bukur i mbylli telefonin dhe e degdisi në Zvicër si kandidat për azilant politik. Por nga ana tjetër të gjithë e dimë pikën e dobët që është miku për kokë, Alex Soros i Veliajt dhe i Ramës, që i mban  akoma bashkë  për 1001 arsye.

Edi Rama, në prag të zgjedhjeve, nuk ka luksin të krijojë përçarje të mëdha brenda partisë,  ndaj prapa kuintave  me prokurorët e SPAK-ut  duket se ka  një “mirëkuptim”  për të falur kohën e procedimit.  Rama po e mban Veliajn në një fije  të hollë litari, edhe pse ky i fundit vazhdon të fluturojë me ëndrrën e tij për një ngritje më të lartë politike. Veliaj  duhet të kujdeset mos t’i mbarojë karburanti përpara se të arrijë në pistë – një pistë që ndoshta do të jetë SPAK-u apo gjykata, nëse loja e pushtetit e Ramës shkon deri në atë pikë.

Ndoshta Rama po i fal kohën deri në zgjedhjet e  majit 2025 dhe pastaj “piloti” i  “5 drejtorëve” dhe inceneratorit të Tiranës  do të zbresë nga ‘avioni elektoral’ për pak   “pushim” si Saimir Tahiri apo Arben Ahmetaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.