Shqiptarët më të varfërit në Europë, paguajnë naftën më shtrenjtë se gjermanët dhe francezët
Naim Noka
Të fundit në Europë për të ardhurat për frymë, të shtatët në botë për çmimin më të shtrenjtë të naftës.
https://www.instagram.com/reel/DALHBYxNl98/?igsh=MzRlODBiNWFlZA==
Ky është një bilanc i qartë, i pamëshirshëm, dhe mbi të gjitha turpërues për një qeveri që pretendon se punon për mirëqenien e qytetarëve të saj, por në të vërtetë është e lidhur ngushtë me interesat e klientelës së saj politike dhe ekonomike.
Në një udhëtim pune në vendin fqinj Maqedoninë e Veriut, e kupton ndryshimin e madh teksa i hedh karburant makinës.
Pyetja e thjeshtë që shtrohet eshtë: Pse një vend me një ekonomi në rënie të vazhdueshme dhe me një nivel të ulët të jetesës paguan një nga çmimet më të larta të naftës në botë?
Përgjigjja është e thjeshtë: “Taksat Rama” mbi karburantet. Taksa absurde, të vendosura për të ushqyer makinerinë e qeverisë dhe oligarkët që e mbështesin.
Çdo litër naftë që blihet është një kontribut i detyruar për financimin e luksit të pushtetarëve dhe klientëve të tyre, ndërsa qytetarët e thjeshtë shtrydhen deri në fund për të mbijetuar.
Por nuk mjafton vetëm taksa, kontrabanda është një tjetër plagë që po çon shqiptarët në humnerë. Në një sistem ku zbatimi i ligjit është një farsë, kontrabanda e karburanteve lulëzon nën hundën e autoriteteve.
Miqtë dhe klientët e qeverisë janë të lirë të pasurohen në kurriz të popullit, duke bërë që çmimet për konsumatorët dhe prodhuesit të ngrihen në qiell, duke shkatërruar çdo mundësi për zhvillim ekonomik dhe konkurrencë të ndershme.
Në fund të ditës, faturën e kësaj paaftësie dhe grykësie e paguajnë familjet shqiptare. Çmimet e karburanteve janë bërë një barrë e papërballueshme për shumë prej tyre. Çdo ditë që kalon, jeta bëhet më e shtrenjtë dhe më e pamundur për qytetarët, të cilët shohin gjithnjë e më pak mundësi për një të ardhme më të mirë. Në vend që të shohin përparim, ata përballen me një realitet ku vetëm të pasurit dhe të lidhurit me qeverinë përfitojnë, ndërsa të tjerët lihen të përballen me varfëri dhe pashpresë.
Kjo nuk është Shqipëria që qytetarët meritojnë. Ky nuk është zhvillimi dhe përparimi që u është premtuar. Në vend të një qeverie që punon për njerëzit e saj, ata janë të sunduar nga një elitë e korruptuar që tall popullin, e cila nuk njeh as turp dhe as kufi në grykësinë e saj. Shqiptarët meritojnë më shumë. Të paktën sa tetovarët dhe qytetarët e Prishtinës që paguajnë karburantin shumë herë më lirë se ne.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



