“Noc Rrokun” për qytetarët, 110 Milionë Euro për Becchettin, dhe opozita në gjumë

Naim Noka

Historia e Becchettit është pasqyrimi më brutal i asaj çfarë ndodh kur arroganca dhe paaftësia bashkëjetojnë në një qeverisje të zhytur në korrupsion dhe tekat personale.

Sot, një nga popujt më të varfër të kontinentit paguan çmimin e kësaj marrëzie: 110 milionë euro të derdhura në llogaritë e një milioneri italian, ndërsa qytetarëve të varfër të Shqipërisë u mbetet vetëm “Noc Rroku” i kryeministrit.

Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj – treshja e dështimeve të mëdha – e kanë shndërruar Shqipërinë në një shtet ku pasuritë publike shpërdorohen me një pafytyrësi të paprecedentë. Për këtë arbitrazh famëkeq, Rama betohej publikisht se Becchetti nuk do të merrte asnjë kokërr leku dhe se do të përfundonte “me gisht në gojë”. Por realiteti doli tjetër: italianit iu dorëzuan 110 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ndërsa populli mezi mban frymën gjallë.

Një heshtje vrastare e mendermediave kombëtare.

Ajo që e bën këtë histori edhe më tragjike është heshtja e plotë e mediave të kapura, që minimalisht refuzojnë  të informojnë jo më të denoncojnë këtë grabitje të përmasave epike.
Të njëjtat media që mbushin ekranet me pordhët e kryeministrit dhe show-t e tij të përnatshme, sot mbyllin sytë përpara një skandali që do të rrëzonte çdo qeveri tjetër në Europë dhe do djersitej edhe Putini dhe Erdogani nëse do tu kishte ndodhur ky skandal për tekat e tyre.

Në Shqipëri, ku pensionistët mezi sigurojnë bukën, ku spitalet s’kanë ilaçe, dhe ku familjet e tërmetit jetojnë ende në çadra, 110 milionë euro janë një katastrofë kombëtare. Por askush nuk kërkon falje. Askush nuk mban përgjegjësi. Përkundrazi, qeveria vijon në arrogancën e saj, sikur këto para as të mos ekzistonin.

Opozita në gjumë, qytetarët të dorëzuar

Ky skandal është një kambanë alarmi jo vetëm për qeverinë, por edhe për opozitën. Ku është opozita për të ngritur këtë çështje në nivel kombëtar? Ku janë aksionet që të detyrojnë median të flasë?

Në vend që të merren me tema teknike dhe fjalime pa efekt, deputetët e opozitës duhet ta shndërrojnë fytyrën e Becchettit në një simbol të dështimit të qeverisë Rama. Postera me fytyrën e Becchettit dhe shumën e 110 milionë eurove duhet të vendosen në çdo cep të Shqipërisë: Në foltoren e Kuvendit.

Para spitaleve që vuajnë për ilaçe.
Në rrugët e qyteteve dhe fshatrave, në çdo sportel ku një qytetar kërkon ndihmë sociale.
Para SPAK-ut dhe Kryeministrisë.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë peshën e kësaj grabitjeje.
Opozita duhet të zbresë në terren, në tregje, kafene, shkolla, duke shpjeguar  dhe bindur civilisht elektoratin dhe qytetarët që kanë mbetur se çfarë do të thotë 110 milionë euro: për jetët e humbura për mungesë mjekimesh në Onkologjik, sa shkolla, spitale dhe infrastrukturë moderne do kishim për një popull që rropatet çdo ditë për mbijetesë.

Heshtja për milionerin e ri shqiptar  me shtetësi italiane Becchetti, e bën bashkëfajtore dhe ‘bashkënocrrokiste’ edhe opozitën.

Korrupsioni është përhapur  si kolerë në vend , qindra milionë për inceneratorët, skandalet me rrugët dhe koncesionet e përjetshme.
Shqipëria nuk po qeveriset, por po shitet. Dhe kur opozita nuk ngre zërin, bëhet një bashkëfajtore e heshtur në këtë tragjedi kombëtare.

Opozita  nuk ka kohë të endet çdo ditë pranë një rrugice , shqiptarët duan një alternativë  dhe të flenë e të zgjohen në mengjes me foton e Bechettit  para tryezës së boshatisur dhe të kuptojnë se me kërë qeverisje do të  vazhdojnë të marrin vetëm “Noc Rrokun” . Me “Noc Rrokun” nuk ndërtohen spitale, nuk ushqehen fëmijët dhe nuk shpëtohet një popull që po falimenton.

 

Publikuar nga Publik Media