Vështirësia për të lexuar nxitimin e SPAK me Dogjanin

Ferdinand Dervishi

Fotografia që shoqëron këtë shkrim, e deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, për ata që e njohin, e tregon të gjithë përjetimin e tij.

Është pamja e një njeriu të fortë, të sapo përballur me djallëzinë apo me një goditje nën brez.

Në kohë rekord, Prokuroria e Posaçme – SPAK, në adresë të tij, hapi dhe mbylli një hetim për deklarim të rremë të burimit të krijimit të pasurisë, e mori të pandehur dhe e dërgoi çështjen në gjykatë.

Por për çfarë bëhet fjalë?

Për të jetuar bashkë me familjen, Asllan Dogjani porositi, në vitin 2006, një apartament brenda unazës së vogël të Tiranës, që do të blihej me këste.

Në të njëjtën periudhë, ndërtuesi dhe njëkohësisht pronari i ndërtimit, Ilirjan Çela, po bënte përpjekje për të ndërtuar edhe një pallat tjetër, diku pas “Hotel Grand”, në afërsi të “Kafe Flora”.

Për shkak të konflikteve që kishte me pronarët e truallit në të dy ndërtimet, ndërtuesi Çela i kërkon avokatit Asllan Dogjani që ta ndihmonte me shërbime dhe konsulenca juridike dhe, në këmbim, t’i falte apartamentin e porositur.

Në mirëkuptim, shkojnë te noteri, prishin kontratën e parë (Asllani kishte nisur të paguante këstet) dhe hartojnë një të re (më 6 dhjetor 2006, me numër protokolli 7030) ku shkruhet se apartamenti do të përfitohet përkundrejt shërbimeve dhe konsulencave juridike.

Ndërkohë, të dy bien dakord që Asllan Dogjani të merrte edhe një hyrje të dytë te pallati i ri, afër “Hotel Grand”, por këtë të fundit kundrejt pagesës.

Avokati Dogjani i shërben ndërtuesit Çela deri në përfundimin e pallatit të parë, i shërben edhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet për pallatin e dytë, i cili përfundimisht nuk realizohet për shkak të konflikteve gjyqësore dhe përfshirjes së Çelës në falsifikime.

Problemet mes dy miqve, të cilët nuk kishin pasur asnjë qejfmbetje për marrëveshjet e bëra në vitin 2006, nisin gati 20 vite më pas, kur Ilirjan Çela kërkon të ndërtojë një tjetër pallat, ngjitur me pallatin e parë, ku Dogjani vijonte të banonte.

Deputeti Asllan Dogjani rreshtohet në krah të banorëve të pallatit, kur sheh se ndërtuesi Çela po zaptonte në mënyrë të paligjshme hapësirat publike si dhe një kopsht shtetëror fëmijësh, që e ktheu në parking privat.

Kohët e fundit, pikërisht këtë histori tipike shqiptare, deputeti Dogjani e ka denoncuar disa herë edhe në Parlament.

Meqë u kthyen në armiq, dhe në kundërpeshë të padive të shumta të banorëve të pallatit në adresë të tij, Ilirjan Çela padit në SPAK deputetin Asllan Dogjani për fshehje të të ardhurave, duke paraqitur si prova ca mandate pagese dore të firmosura nga ai vetë apo ish-administratori, por pa firmën e Asllan Dogjanit.

Me anën e këtyre mandateve ai pretendonte se deputeti aktual ia kishte shlyer gjithë shumën e blerjes së banesës prej rreth 120 mijë eurosh.

Përpara hetuesve të BKH-së, deputeti Dogjani ka deklaruar se nuk e ka paguar banesën dhe se mandatet e paraqitura janë të falsifikuara.

Por, edhe pas këtyre shpjegimeve, SPAK krijon bindjen se “kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme”.

Si përfundim, SPAK ndërton akuzën “deklarim të rremë të burimit të krijimit të pasurisë”, duke e marrë deputetin Dogjani të pandehur dhe duke e dërguar çështjen në gjykatë.

Problemet me këtë histori:

1.Absurd i qartë në kallëzim

Paditësi Ilirjan Çela shkon në SPAK dhe bën kallëzim duke përfshirë veten në një vepër penale. Sipas kësaj logjike, ai paska rënë dakord me Asllan Dogjanin që t’i lëshojë një deklaratë noteriale të rreme ku shkruhet se apartamenti është përfituar për shkak të shërbimeve dhe konsulencës.

2.Mosbesimi i dokumenteve të noterizuara

Pse SPAK nuk beson dy dokumente të noterizuara (kontrata e vitit 2006 dhe deklarata e shkruar nga Çela më 2010), por pranon mandate të firmosura vetëm nga ndërtuesi?

3.Fshehja e të ardhurave

Nuk ka arsye përse Dogjani të fshehë të ardhurat, kur ato janë të justifikuara dhe të ligjshme.

4.Koha e akuzës

Akuzat lidhen me një periudhë kur Dogjani punonte si avokat dhe nuk kishte detyrim për të deklaruar pasuri.

5.Nxitimi i SPAK-ut

Si shpjegohet nxitimi për të marrë Dogjanin të pandehur, ndërkohë që për raste të tjera, si Olta Xhaçka, SPAK ka vite që zvarritet?

6.Mosbalanca në hetime

Serioziteti i SPAK-ut vihet në pikëpyetje kur krahasohet rasti i Dogjanit me dosje të tjera të rëndësishme, si “Suel Çela & Co”.

Publikuar nga Publik Media