A po shkon Erion Veliaj drejt prangave?

 

Hetimet e SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po thellohen, duke zbuluar një rrjet të gjerë abuzimesh që përfshin jo vetëm atë, por edhe familjarët e tij më të afërt. Vendimi i GJKKO-së për kontrolle në banesën e tij dhe të të afërmve është tregues i qartë se institucioni i drejtësisë nuk ka ndërmend të ndalet.

Ajola Xoxa dhe bizneset e fshehta

Sipas burimeve, kontrolli në banesë ka zbuluar dokumente dhe prova që lidhin Xoxën me marrëveshje të dyshimta. Një prej tyre është objekti me vlerë 25 mijë euro, i marrë pa pagesë nga biznesmeni Gentian Sula i NOA-s, i cili më pas ka përfituar tenderë qindra milionë euro nga Bashkia e Tiranës.

A është kjo një dhuratë apo pjesë e një skeme të mirëplanifikuar korruptive? SPAK po ecën drejt një përgjigjeje të qartë. Ky rast është një shembull i asaj se si pushteti i Veliajt ka ndihmuar në pasurimin e rrethit të tij të ngushtë, ndërsa qytetarët e Tiranës paguajnë çmimin e lartë të këtyre aferave.

Arbër Veliaj: Çelësi i financave dhe mediave

Edhe vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, nuk ka shpëtuar nga hetimet. Kompania e tij e reklamave është kthyer në një mjet për pastrimin e parave dhe kontrollin e medias. Arbër Veliaj dyshohet se ka luajtur një rol kyç në transferimin e fondeve nga tenderët e dyshimtë drejt mediave, duke siguruar heshtjen ose mbrojtjen mediatike për të vëllanë.

Këto dyshime nuk janë vetëm të pabaza. SPAK ka kryer kontrolle të imtësishme në pronat e tij dhe ka sekuestruar dokumente e telefona që mund të ndihmojnë në lidhjen e skemës së Veliajt me afera të tjera korruptive.

Nga dyshimet te faktet

Tani hetimet po shkojnë përtej spekulimeve mediatike. Kontrollet në banesa, sekuestrimet e telefonave dhe hetimet pasurore ndaj familjarëve janë dëshmi e qartë se SPAK po bazohet në prova konkrete. Nga tenderat e kompanisë “5D” te afera e inceneratorëve dhe deri te bizneset private të familjes Veliaj, gjithçka po del në dritë.

Institucioni i drejtësisë ka nisur një hetim të thelluar për pasuritë e Veliajt dhe lidhjet e tij me bizneset e dyshimta. Pyetja tani është: a do të arrijë SPAK të çmontojë të gjithë skemën?

Veliaj dhe fundi i një epoke

Erion Veliaj, i cili për vite ka manipuluar opinionin publik me imazhin e një lideri “modern” dhe “transparente,” po përballet me pasojat e një karriere të mbushur me abuzime. Kontrolli i detajuar ndaj Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt është vetëm hapi i radhës në një proces që duket se do të çojë në ndëshkime të forta.

Nëse këto hetime çojnë drejt arrestimit të Veliajt, kjo do të shënojë jo vetëm fundin e një prej figurave më të fuqishme të pushtetit lokal në Shqipëri, por edhe një kthesë historike në luftën kundër korrupsionit.

Veliaj dhe familja e tij po gjykohen jo vetëm nga ligji, por edhe nga qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie. Kjo është një betejë ku, për herë të parë pas shumë vitesh, ndoshta pushteti nuk do të fitojë mbi drejtësinë./  Naim Noka

Publikuar nga Publik Media