Naim Noka
Historia e Parashqevi Simakut, një artiste dikur e adhuruar dhe harruar nga shumica që ngjalli nostalgji brenda pak orëve, është një tregim i trishtë, por ndriçon dritë mbi një plagë të madhe të shoqërisë shqiptare: paaftësinë për të mbështetur të mirën dhe talentin, ndërsa glorifikon mediokritetin dhe shfaqjen boshe.
Parashqevia nuk është vetëm një këngëtare që u largua nga Shqipëria 34 vite më parë. Ajo është një simbol i artistit të pastër, që refuzon kompromisin, shpërdorimin e talentit për para apo famë të lehtë. Në intervistën e saj të fundit për ABC7, ajo shfaqet si një amerikane në shpirt dhe mendje, e përulur dhe e paqtuar me jetën e saj të thjeshtë, ndonëse të mbushur me vuajtje dhe dhimbje.
Por, për artistin e vërtetë, dhimbja nuk është një fund, por një burim frymëzimi. Njësoj si Caravaggio, Van Gogh apo Modigliani, që sfiduan botën dhe veten përmes jetës së tyre të trazuar, edhe Parashqevia është një shpirt i lirë. Ajo nuk po kërkon të peshojë vlerën e jetës me çmimin e buzëkuqit të radhës apo me markën e një pale këpucësh apo me unazat e Elton Ilirjanit.
Kthimi i saj në vëmendje ka ndodhur në mënyrën më të shëmtuar të mundshme: jo për artin e saj dhe nostalgjinë që ka një pjesë e madhe e shoqërisë, jo për zërin që dikur mbushi skenat shqiptare, por për jetën e saj private. Media shqiptare dhe një pjesë e shoqërisë kanë përdorur emrin e saj për të krijuar “fabula virale”, një strategji e njohur për të shmangur debatet mbi çështjet thelbësore që i mundojnë shqiptarët: korrupsioni, varfëria, emigracioni masiv dhe degradimi i institucioneve.
Në vend që të reflektojmë mbi humbjen e talenteve si Parashqevi Simaku dhe mbi dështimin tonë për t’i mbështetur, shoqëria jonë zgjedh rrugën më të lehtë: gjykimin. Qindra mijera euro shpenzohen për të sjellë turlifarëlloj këngëtari të huaj nga bashkia e Tiranës dhe qeveria në Tiranë.
Këtu kthehen miliarda euro beton dhe tenderime por nuk ka pak para simbolike për artin dhe artistët në nevojë. Në vend që të nderojmë një shoqëri ku sistemi i vlerave të afirmojë artiste që refuzojnë të shesin shpirtin për përfitime materiale, ne e përdorim atë si mjet argëtimi ose mëshirimi hipokrit.
Parashqevi Simaku është një shembull i gjallë i një fenomeni më të gjerë. Shqipëria, për dekada, ka dëshmuar se nuk di të trajtojë artistët, intelektualët dhe njerëzit me vlera. Ata përçmohen në vendlindje, harrohen nga komunitetet në diasporë dhe, kur fati i tyre kthehet në temë mediatike, shndërrohen në pre për moralizuesit e rastit dhe për ata që duan të shfaqen si bamirës.
Komuniteti shqiptar në SHBA, për shembull, ka dështuar ta mbështesë një artiste si Parashqevia. I ndarë mes klisheve të vjetra ideologjike dhe patriotizmit të rremë, ky komunitet është më shumë i zënë me glorifikimin e milionerëve dhe të politikanëve sesa me promovimin e artit dhe kulturës së vërtetë.
Parashqevi Simaku nuk ka nevojë për mëshirë, as për bamirësitë false të miliarderëve shqiptarë. Ajo ka nevojë për respekt, për njohjen e meritës dhe për një shoqëri që të kuptojë se artistët janë pasuria më e madhe e një kombi, jo thjesht objekte të një kurioziteti të përkohshëm.
Kjo histori duhet të na bëjë të reflektojmë: përse kemi dështuar si shoqëri t’i mbështesim njerëzit e talentuar? Përse harrojmë të shohim përtej sipërfaqes, përtej thashethemeve dhe të kuptojmë thelbin e një shpirti artistik? Dhe, më e rëndësishmja, çfarë duhet të bëjmë për të mos humbur Parashqevinë e radhës?
Nuk është vonë të mësojmë nga gabimet e së shkuarës dhe të ndërtojmë një shoqëri që vlerëson vërtet artin dhe njerëzit që e krijojnë atë. Përndryshe, do të mbetemi gjithnjë një turmë që vetëm përkëdhel mediokritetin dhe tallet me madhështinë ose më e shumta janë lëndë e parë për lajmet politike të Ramës dhe Veliajt sapo të nisë fushata elektorale për ti përdorur si lolo për pak vota më shumë. Jo së këtë gjë nuk e bënte dhe Berisha dikur por jo kaq me jargavitje ‘noizyane’.