Shqipërinë e vrasim vetë, autorët i shpallim në kërkim

Basir Çollaku

Viti 2024 po mbyllet me më pak shqiptarë në atdheun e tyre, më shumë të larguar, krejt pa dëshirë, por të detyruar nga një mori rrethanash. Kemi një hemorragji qindramijë të ikurish në Europë e nëpër botë. Kemi më tepër qytetarë të varfëruar, por më shumë pushtetarë të pasuruar. Më shumë institucione drejtësie, por na është shtuar më tepër padrejtësia. Janë shtuar më shumë taksa, por ka më pak pagues. Ka rritje të shfrenuar mediesh e pakësim të dukshëm liri fjale. Ka një numër rekord, qindra partish politike, ndonëse nuk janë gjithë e gjithë 50 të tillë në gjithë vendin, duke e kthyer në biznesin më ftimprurës, me pasojë mjerimin e përditshëm si kosto. Na janë shtuar refugjatë e emigrantë të çdo profesioni e race, sa nga qokat globale, aq nga shkërmoqja shtetërore, duke rënduar axhendën shkombëtarizuese. Jemi mbushur me ishuj të huaj njerëzorë, me ujgurë, afganë, muxhahedinë, iranianë, filipinas, bangladeshas, indianë, kinezë, nigerianë, kenianë, të bardhë, të verdhë, të zinj. Jemi bërë koshi më i madh i mbetjeve, kimike, toksike, narkotike, humane, në kontinent, një kosh me sipërfaqe 28.748 kilometër katrorë. Jemi pushtuar nga investime strategjike, duke na kthyer e shërbyer strategji falimentimi. Pastrojmë miliarda euro të botës së krimit të organizuar, e na mbetet në dorë lavatriçja e paorganizuar si teneqe skrapi. Kanë mbërritur nga kurrkundi zotër rusë, kinezë, arabë e kanë kthyer në skllevër shqiptarët. Janë verbuar nga verbëria demokratë e socialistë, duke u bërë statistikë varfërie, ndërsa shumë udhëheqës të tyre janë kthyer në ikona majmërie. Po zaptohen e plaçkiten pasuri hyjnore e mahnitëse të natyrës e të Krijuesit, duke ua lënë në dorë pjellës më të keqe, banditëve horra, vendas e të huaj. Të mbytur nga uji, nuk kemi për të pirë në banesa, të pushtuar nga deti, mezi e shohim plazhin në internet. Prodhues naftë ndër të paktët në Evropë, e paguajmë më shtrenjt se kushdo në botë. Kemi diell 260 ditë në vit, e çojmë dëm çdo pikë drite. Energjinë e ujdisim falas por e paguajmë sa frëngu pulën. Bujqësia e blegtoria kanë mundësi të rralla, por ne ushqehemi nga prodhimet që thyejnë trarët nëpër dogana. Mafia dhe Qeveria janë në biznes të pandarë e ne duartrokasim se na ecin punët mbarë. Ndërtojmë më shumë Kisha e Xhamia, botojmë në pafundësi Bibël e Kuran, po shesim më shumë haram dhe besojmë gjithnjë e më pak në Zot e në hallall. Turremi me përulësi hipokrite për Krishtlindje, Bajram e Pashkë, e të nesërmen e ditëve të shenjta, bëhemi gjah për thertore të gjithë bashkë. Ndërtojmë shkolla e spitale, por skemi nxënës, mësues, infermierë, ilaçe, mjekë e pedagogë. E keqja e Shqipërisë, jemi kryesisht ne, shqiptarët, që rrimë kokëpërpjetë të na i zgjidhin hallet ndërkombëtarët. Jemi të gëzuar se jemi gjallë, por nuk vetëpyesim, a jetojmë..?! Vendin nuk e bëjnë as njerëzit artificial, as Intelegjenca Artificiale, por patriotët që e duan atë!

Publikuar nga Publik Media