Burgu, pa konfikskim pasurie, është thjesht një kamp i rehatshëm pushimi.

Elona Caslli

Për çdo politikan të korruptuar, burgosja pa konfiskim pasurie, është thjesht një kamp i rehatshëm pushimi.

Është thjesht një kamp i rehatshëm pushimi, pasi pas burgosjes atë e pret një shumë e majme parash e cila i siguron tërë jetën atij, familjes dhe pasardhësve të tij.

Burgu, me një pasuri të pacënuar, mund të jetë gjithçka veçse një akt drejtësie nuk është.
Nuk është akt drejtësie sepse të risjell ndërmend procesin e famshëm të Vettingut, ku prokurorë apo gjyqtarë që nuk justifikonin dot pasurinë përkatëse, nuk lejoheshin të ushtronin më detyrën e tyre brenda institucioneve të drejtësisë, por mund të hapnin zyrat e tyre private dhe me lidhjet që kishin në sistemin e drejtësisë të vazhdojnë punën e tyre. Ndërkohë që pasuria e pajustifikuar mbetet e pacënuar dhe mbi të gjitha lind pyetja; Si është fituar pasuria e pacënuar nga një gjykatës?! Duke favorizuar dikë me një vendim të padrejtë.
A u rishqyrtuan vendimet e dhëna nga gjyqtarët që nuk e kaluan procesin e Vettingut?! Jo.

Në përfundim, një gjyqtar me një pasuri të pajustifikuar, në çastet që flasim, mund të jetë duke bërë ski diku në këtë prag fundviti, për t’u rikthyer në zyrën e tij private në fillim të vitit ose në auditoret e ndonjë universiteti privat për t’u dhënë leksione mbi Drejtësinë të rinjve shqiptarë.
Pasuria e përftuar nga vendimet e padrejta mbetet ende aty. E pacënuar dhe embrojtur me përkushtim njësoj siç mbrohen pikturat brenda një muzeumi arti.

Njëjtë ndodh me një politikan të korruptuar. Atij i hiqet veçse e drejta për t’u ulur në parlament, por asnjë e drejtë tjetër kur të dalë nga burgu. Pasuria e tij, e grumbulluar nga vjedhja e taksave të shqiptarëve, mbetet e pacënuar dhe ai pas burgut mund të zgjedhë vendin e preferuar në hartën e botës për të jetuar krejt i qetë me familjen e tij.

Pra, e ashtëquajtuara ” Reformë në Drejtësi” aktualisht po shërben thjesht për t’i hequr të drejtën disa politikanëve të merren me politikë në të ardhmen, por kurrsesi për t’u rikthyer shqiptarëve çka u është vjedhur.

Post Scriptum- Nëse pas burgut të presin ca miliona euro mënjanë, atëherë ti nuk je në burg. Je thjesht me leje krijimtarie.

 

Publikuar nga Publik Media