Safet Bajri reagon në Top Story, mohon konfliktin me fisin Lici dhe përfshirjen në masakrën e Dobraçit

Në një reagim të drejtpërdrejtë për Top Story në Top Channel, Safet Bajri, një prej figurave më të kontestuara të Shkodrës, ka mohuar çdo përfshirje në krime dhe ka hedhur poshtë akuzat për një konflikt me fisin e Licajve.

Bajri tha se po i hidhet baltë dhe se gjithçka rreth tij është e verifikueshme. Ai u shpreh se pasuria e tij është e kontrolluar dhe se nëse do të kishte pasuri të dyshimtë, atëherë SPAK do ta kishte hetuar. “Nënën time 70 vjeçare e bënë grup kriminal, a jeni në vete ju?”, u shpreh Bajri gjatë intervistës.

Grida Duma e pyeti se sa njerëz rreth tij ishin vrarë, dhe Bajri u përgjigj se vetëm xhaja i tij ishte vrarë dhe se djali i xhajës ishte plagosur. “Licajt nuk i kam njohur kurrë në jetë”, tha ai, duke shtuar se pas ngjarjeve të dhunshme në Shkodër, ai kishte marrë masa për sigurinë e tij.

Bajri gjithashtu mohoi përfshirjen në masakrën e Dobraçit dhe shprehu se nuk kishte asnjë interes në politikë, duke theksuar se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me policinë për çdo hetim.

Në fund, ai sqaroi se nuk kishte asnjë qëllim të largohej nga Shqipëria dhe se nuk kishte asnjë arsye për të ikur.

Forcat RENEA ndërmorën një aksion blic orët e para të mëngjesit në lagjen Dobraç, në qytetin e Shkodrës, ndërsa efektivët kishin në duar kërkesat e SPAK për ekzekutimin e disa urdhrave arresti për ngjarje të ndryshme kriminale.

Siç u raportua edhe më herët RENEA ushtroi kontroll edhe në banesën e Safet Bjarit, por ky i fundit nuk ishte në banesë.

I pyetur se përse RENEA kryen kontrolle në banesën e tij, ai u shpreh se sa herë që efektivët kanë shkuar në banesën e tij, ai u ka vënë në dispozicion kamerat e sigurisë.

I përfolur për një konflikt të përgjakshëm me familjen Lici me pasojë disa të vrarë në atentate, ai tha se nuk ka pasur kurrë konflikte me këtë familje.

“Kur vjen policia, i jap USB e kamerave, nuk kam lidhje me asgjë, dhe sulmohet Safeti. Për çfarë? Ka ardh RENEA te banesa ime… në lidhje me masakrën e Dobraçit unë ua kam dhënë kamerat. Unë me atë familje nuk kam pasur kurrë asnjë problem. Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha ai.

I pyetur në lidhje me pasuritë e tij dhe nëse ka pasur sekuestrim, ai tha se çdo gjë është e verifikueshme dhe se nuk ka pasur asnjëherë sekuestrime.

“As OLF as kurrkush, unë kam bërë 13 vite burg, kam bërë 4 vite kam dalë i pafajshëm, kam bërë dhe 2 vite dhe prapë pastaj ma pushuan çështjen, 6 vite tërë jetën”, deklaroi ai gjatë ndërhyrjes në emision.

Publikuar nga Publik Media