Histeria në mbrojtje të SPAK-ut dhe Emergjenca imagjinare!

Flamur Vezaj

Filloi seriali i histerisë për të mbrojtur SPAK-un!! Mirë bëni se ja u do puna! Por a nuk ju bën përshtypje që SPAK-u dhe Gjykata Kushtetuese ishin palë në proces dhe hetimi në emër të dyshimit, mund të përdoret për shantazh? Apo ndoshta, në këtë rast, paska një emergjencë të veçantë, që vetëm ata e kuptojnë?

Disa thonë: “Gjykata i kontrollon veprimet e ligjshmërisë së SPAK-ut!! Po cila gjykatë? Ata që SPAK-u i përgjon në emër të dyshimit, para se të japin një vendim? Pra, kush i kontrollon?? Ata që zbulojnë pasi kanë dhënë vendimin se kanë qenë në përgjim, survejim dhe vëzhgim për çdo takim që kanë bërë?

Ku mbeti barazia para ligjit? Je palë në proces, o njerëz! Je i pabarabartë para ligjit! A e kuptoni këtë apo jo?

Po nëse një gjyqtar, apo Gent Ibrahimi, ndjek të gjitha shkallët e gjyqësorit për të kërkuar pavlefshmërinë e përgjimeve, dhe çështja përfundon në Gjykatën Kushtetuese, kush do ta shqyrtojë? Cilat gjyqtarë? Apo kemi ndonjë emergjencë tjetër dhe do të sjellim gjyqtarë me qira nga Apeli? Ose më mirë t’i kërkojmë Komisionit të Venecias ta gjykojë?

Apo edhe këtë duhet ta pranojmë me kokën ulur, sepse në emër të servilizmit gjithmonë ka të drejtë Dumani?

Dhe tani vijmë tek pjesa më qesharake: Na thonë që “në emër të dyshimit” kanë të drejtë të përgjojnë kë të duan, edhe gjyqtarët e Kushtetuses! Po mirë, çfarë emergjence kishte këtu? Sepse ligji është i qartë: në raste emergjente, leja jepet nga prokurori, por brenda 15 ditësh duhet të kalojë në gjykatë për vlerësim. Pse nuk ndodhi kështu? Apo në këtë rast emergjenca zgjat pafundësisht dhe pa asnjë filtër?

Dhe tani vjen kulmi: Na thonë që publikimi i këtij skandali është i pavërtetë, sepse ligji e lejon! Po Dumani që gënjeu Gjykatën Kushtetuese me shkresë se nuk kishte hetim, për këtë pse nuk flisni? Apo këtë e fusim te “gabimet njerëzore” dhe e harrojmë?

Kam qenë pro SPAK që në fillim, por jo për të parë si disa individë atje sillen si të paprekshëm dhe të pakontrollueshëm!

Dhe këtu vjen pyetja e madhe: Kush i kontrollon këta? Kush garanton që veprimet e tyre janë të drejta? Apo janë bërë si orakujt e ligjit dhe nuk guxon askush t’i vërë në dyshim?

Dhe tani më tregoni, çfarë ndodh me këto hetime? Pse asgjë nuk çohet në gjykatë për pushim ose asgjësim të përgjimeve? Apo tani kemi një praktikë të re: “Hap hetimin, s’del gjë, mbaje aty për shantazh.”

Dhe për ta mbyllur me “emergjencën” e fundit: Vetë drejtuesi i SPAK gënjeu Gjykatën Kushtetuese! Dhe justifikimi më i ri është: “Po pse duhet t’i kallëzojmë që po i hetojmë?”

E kuptoj që disa duan ta mbajnë mirë me Dumanin dhe të tjerët atje, por jo deri në këtë pikë!

Të gjithë i njohim prokurorët që janë aty. Dhe vërtet mendoni se janë të gjithë të pagabueshëm dhe të pacenueshëm? Jo, kurrë! Disa po, por jo të gjithë.

Prandaj, mjaft me këtë servilizëm të neveritshëm!

Publikuar nga Publik Media