Landi Çela
Propaganda e Edi Ramës dhe gënjeshtra e madhe e pushtetit
Edi Rama nuk është thjesht një politikan, ai është një ahengxhi profesionist. Një performues i lodhur, i cili, pas më shumë se një dekade në pushtet, kërkon ende të zërë skenën kryesore, duke e kthyer politikën në një estradë, si ajo e “Ballshit” dikur. Sot, ai nuk qeveris përmes reformave apo zhvillimit, por përmes batutave, gallatës dhe bufonëve të oborrit të tij mediatik.
Pas burgosjes së mëkëmbësit të tij, Erion Veliaj, Rama është, de facto, edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por showmeni i pushtetit i ka testuar shqiptarët të paktën në dy mandatet e fundit dhe ka kuptuar diçka të thjeshtë: mund t’i sundojë lehtësisht, pa asnjë sfidë reale. Rama e ka kuptuar prej kohësh se ky popull është mësuar me bukë dhe aheng, me propagandë dhe spektakël, ndaj ka zgjedhur t’i sundojë me tallje dhe poshtërim, sikur të ishte një pasha modern që shet arrogancën si vizion politik. Dhe shqiptarët, në vend që ta sfidojnë, vazhdojnë ta ndjekin si një spektakël që nuk duan ta humbasin.
Nga blindat e ushtrisë te premtimi i pasaportës europiane
Mjafton të kthehemi pas në kohën e pandemisë për të kuptuar se si Rama e trajtoi popullin e tij – me forcë, me nënshtrim dhe me një përbuzje të thellë ndaj inteligjencës së qytetarëve. Në vend që të qeveriste me transparencë dhe llogaridhënie, ai përdori Facebook-un si bunker politik, nga ku lëshonte mesazhe dramatike, kërcënonte qytetarët dhe shfaqej si shpëtimtari që duhej të adhuronin.
Ai nxori blindat e ushtrisë në rrugët e Tiranës për të “luftuar” COVID-19. Ndërsa njerëzit vuanin izolimin, ai bëhej aktori kryesor i një reality show politik, ku çdo vendim i tij përçohej me patos e teatrale, si një diktator modern që nuk duron asnjë kundërshtim.
Sot, ai kërkon mandatin e katërt, duke premtuar “pasaportën europiane” dhe “anëtarësimin në BE” – një gënjeshtër aq e madhe, saqë tingëllon groteske kur e thotë një njeri që ka ndërtuar një sistem ku drejtësia mbron qeverinë dhe korrupsioni është rregull, jo përjashtim.
Qeveri me ministra në burg, por Rama sillet sikur s’ka ndodhur asgjë
Asnjë pushtet nuk mund të quhet normal, kur ministrat dhe drejtorët e tij futen njëri pas tjetrit në burg për korrupsion e vjedhje. Drejtësia ka nisur të kafshojë kupolën e pushtetit, por në vend që të ndalojë dhe të reflektojë, Rama sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Në çdo vend tjetër, një kryeministër që ka një qeveri të zhytur në afera do të ishte larguar me turp. Por Rama, mjeshtër i manipulimit të realitetit, e shet këtë si një “sukses të drejtësisë”, duke lënë të kuptohet se ai vetë është i paprekshëm. Ai bën sikur nuk e kupton se ky sistem i kalbur është krijuar nga ai vetë, me politikat e tij të klientelizmit, me koncesionet e tij mafioze dhe me arrogancën që tashmë është bërë pjesë e ADN-së së pushtetit të tij.
Nga pasha në monark – A do të zgjohet ndonjëherë ky popull?
Edi Rama nuk është thjesht një autokrat modern; ai është një monark pa kurorë, një lider që e ka shndërruar Shqipërinë në një teatër ku ai luan rolin kryesor, ndërsa qytetarët ndjekin të heshtur shfaqjen e tij të pafundme. Dhe për sa kohë që njerëzit qeshin me batutat e tij dhe nuk revoltohen për krimet e qeverisë së tij, ai do të vazhdojë të sundojë.
Por pyetja e vërtetë nuk është pse Edi Rama vazhdon të tallet me shqiptarët.
Pyetja e vërtetë është: A do ta ndëshkojnë shqiptarët me 11 maj?