Klodian Tomorri
Që politikanët bëjnë premtime boshe dhe mashtrojnë gjatë fushatave zgjedhore, kjo nuk është ndonjë risi.
Por ky duhet të jetë rasti i parë në botë kur një politikan i premton popullit diçka që dihet botërisht se nuk e ka ai në dorë.
“Ma jepni mandatin e katërt se do t’ju fus në BE!” – thotë kryeministri. Kjo është e gjithë fushata e Partisë Socialiste këtë vit.
Por si do të na fusë në BE kryeministri? Sepse këtë nuk e ka ai në dorë. E kanë në dorë Makroni, Merzi, Meloni dhe nja 25 udhëheqës të tjerë europianë, përfshirë parlamentet e tyre e të tjera e të tjera.
Po sikur ata të mos pranojnë? Çfarë ndodh atëherë?
“Ah,” – do të thotë ky – “unë e bëra punën time. I plotësuam të gjitha kushtet, e mbajta premtimin, por ja, nuk deshën këta, se nuk dinë nga e kanë kokën.”
Gallatë e madhe!
Nuk thotë “do të rris fondet publike për arsimin dhe shëndetësinë, do të rris pensionet, do të përmirësoj shërbimet publike” – gjëra që vërtet i ka në dorë. Por thotë: “Do t’ju fus në BE!”
Përpara ere, përpara!
Mandatin tjetër futi dhe një premtim për rikthimin e Anglisë në BE!